Gazetari Furkan Saliu ka reaguar me tone të ashpra, duke akuzuar drejtpërdrejt institucionet shtetërore për spastrime të qëllimshme etnike ndaj shqiptarëve. Sipas tij, fati i të punësuarve në Ministrinë për Sistem Politik ishte i vulosur që në ditën kur u votua Qeveria – ishte vetëm çështje kohe dhe metode se si do të largoheshin.
Saliu thekson se punonjësit nuk janë larguar për shkak të moskryerjes së detyrave, por sepse janë shqiptarë dhe sepse janë punësuar gjatë mandatit të Artan Grubit. Ai publikon edhe pamje që, sipas tij, dëshmojnë presionin sistematik: dhjetëra punonjës të grumbulluar në zyra pa kompjuterë, pa materiale pune dhe madje pa karrige të mjaftueshme – një formë e pastër e torturës psikologjike.
“40 persona në disa zyra me vetëm 34 karrige, pa asnjë mjet pune. Kjo nuk është administratë, kjo është poshtërim”, shkruan Saliu.
Ai akuzon se largimet po shoqërohen me zëvendësime të drejtpërdrejta nga njerëz të afërt me ministrin Ivan Stoilkoviq, duke e cilësuar këtë proces si kapje të institucionit dhe eliminim të shqiptarëve nga vendimmarrja.
Një nga rastet më tronditëse, sipas Saliut, është largimi nga puna i një ish-ushtari të UÇK-së, i cili ka qenë i rregullt në detyrë dhe pa asnjë vërejtje disiplinore, por është shkarkuar pa paralajmërim.
“A e dini çfarë është më e frikshme? E njëjta gjë po ndodh në ushtri, diplomaci, polici dhe në çdo sektor kyç të shtetit”, paralajmëron ai.
Në fund, Saliu ngre alarmin se shqiptarët po shtyhen sërish drejt roleve më të ulëta, duke u konsideruar të pranueshëm vetëm si rojtarë, vozitës apo pastrues, por kurrsesi në pozita me ndikim real.










