Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në intervistën në “Dialog te Lajmi” ka folur edhe për një dokument të shpalosur të Arben Taravarit, ku ky i fundit flet për një dokument të nënshkruar nga gjitha partitë para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, ku deklarohen se integrimi në BE duhet të jetë kusht prioritar. Këtë kopje sipas Taravarit e posedon kinse vetëm Afrim Gashi.
Por, sipas Gashit, kjo nismë nuk ka qenë e sinqertë, prandaj ka dështuar.
“Gjithë opinioni e di se ka pasur një iniciativë të tillë, ka dështuar, për shkak se nuk ka qenë e sinqertë, ka qenë tendencioze. Jam deklaruar për atë letër, mund t’i gjeni deklarimet e mia, është kapitull i mbyllur, me asgjë nuk implikon ai element në zhvillimin e procesit politik të shqiptarëve dhe vendit”, ka thënë Gashi.
Raporte kam me gjithë ambasadorët, njëjtë edhe me Meidanin
Lidhur me qëndrimet e ambasadorit të Shqipërisë Denion Meidani, ai shprehet se raporte ka me gjithë ambasadorët.
“Për personin që pyetni nuk mendoj se unë duhet të përgjigjem, ai është ambasador i një shteti, ka një shef, është Ministria e Punëve të Jashtme, unë kam raporte me gjithë ambasadorët, i ftojmë në evente të ndryshme, komunikojmë për t’i rregulluar agjendat dhe takimet. Kjo është përgjigja që mund t’ua jap. Me krejt ambasadorët takohem, është pjesë e punës”, ka thënë Gashi.










