Gashi dorëzohet, “Alternativa” quhet lëvizja e re

Grupimi politik i Afrim Gashit duket se është dorëzuar. Pas vendimit të fundit të Gjykatës së Apelit që vulosë pronësinë e Bilall Kasamit mbi Lëvizjen BESA, Afrim Gashi ka zgjedhur emër të ri për partinë. “Alternativa” do të quhet partia e re, ndërsa vendimi për këtë emër është marrë në mbledhjen e fundit të Kuvendit Qendror të partisë së Gashit, shkruan gazeta KOHA.

Sekretari i partisë, Skender Rexhepi-Zejd, tha të hënën vendimi është miratuar me kërkesë të anëtarësisë dhe e gjithë kjo, siç u shpreh ai, për të ecur përpara me një subjekt të ri, por pa hequr dorë nga procesi gjyqësor. “Tre deputetët e Besës, nga dita e djeshme janë tre deputetë të Alternativës dhe kështu do të vazhdoj funksionimi i tyre. Do të shihen mundësitë e tjera të angazhimit politik në kuadër të Parlamentit. Ndarja e subjektit politik që në fillim ishte me një prerje të thellë, ku 80 për qind e strukturave veçse u rreshtuan pas kryetarit Afrim Gashi”, tha Rexhepi-Zeid.

Ai informoi se tashmë Afrim Gashi së bashku me dy deputetët tjerë – Nexhmedin Kahremani dhe Rexhep Mehmeti, në Parlament do të veprojnë si deputetë të Alternativës. Para gazetarëve, Rexhepi komentoi edhe zgjedhjet presidenciale, ndërsa tha se po shqyrtohen tre opsione. Mund të garojnë me kandidat të vetëm, të mbështetet kandidati i LSDM-së, ose të nxjerrin kandidat të përbashkët me Aleancën për Shqiptarët.

“Kuvendi Qendror e autorizoi kryetarin që të zhvilloj bisedime me partnerin e koalicionit, që në këtë rast e kemi vetëm LSDM-në. Sepse, ne jemi pjesë e Qeverisë në bazë të bisedimeve vetëm me Zaevin dhe askënd tjetër. Dhe po ashtu do të zhvillojë bisedime edhe me partitë opozitare shqiptare për kandidat të mundshëm. Shfrytëzojmë mundësinë që edhe ne si ‘Alternativë’ të kemi kandidatin tonë, por për këto do të sillen vendimet në të ardhmen”, tha Rexhepi-Zejd. Ndryshe, disa vendime gjyqësore ishin sjellë në favor të BESËS së Bilall Kasamit, ndërsa i fundit ishte i para dy jave, kur Apeli kishte refuzuar kërkesën e Afrim Gashit që BESA të shënohet në Regjistrin e partive politike, por me kryetar pikërisht Afrim Gashin.

Tashmë, pasi grupi i Gashit u dorëzua, në BESËN e Kasamit thonë se mund të fillohet me procedimin e dhjetëra padive private dhe zyrtare kundrejt grupit të Afrim Gashit për keqpërdorim të emrit të partisë, fyerje, shpifje dhe të tjera.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu