Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi në intervistën për “Dialog te Lajmi” duke folur për Projekt- rezolutën për ish udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se VLEN është deklaruar se e mbështet Deklaratën me votë, me pjesëmarrje në komision, kurdo që vendoset pika në rend dite kur të plotësohen kushtet.
“Gjithë deputetët e VLEN do të votojnë dhe e mbështesin, jo për shkak se është propozuar nga dikush, por për shkak të qëndrimeve tona ndaj luftës çlirimtare të Kosovës dhe kjo lidhet me drejtësinë dhe ne besojmë se lufta e UÇK-së së Kosovës ka qenë e drejtë dhe në mbrojtje të popullatës që ka qenë e terrorizuar nga regjimi i atëhershëm i Millosheviqit.
Kështuqë, gjithçka që duam është të mos preket ai element i shenjtërisë së luftës së drejtë që është bërë nga shqiptarët në Kosovë gjatë viteve 98/99”, ka thënë Gashi.
Duke komentuar më tej, ai tha se opozita është dashur të shprehë falënderim për mbështetjen me qëllim për disa çështje të dukemi bashkë dhe është mirë për disa interesa kombëtare të jemi bashkë.
“Është një qasje e gabuar në kampin politik shqiptarë që partitë që janë në pushtet dhe opozitë duhet të jenë kundër njëri- tjetrit për gjithçka, kjo është gabim, duhet të merremi vesh, të shtyjmë agjendat që i kemi të përbashkëta”, ka thënë ai.










