Gazetari Dritan Hila ishte i ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, ku komentoi për tensionet e fundit në Lindjen e Mesme pas sulmit ndaj Iranit nga Izraeli dhe SHBA. Ai theksoi se ky konflikt nuk është një luftë që ka nisur për iniciativë presidentit Donald Trump, por më shumë është rezultat i aparateve shtetërore dhe grupeve të fuqishme që kërkojnë destabilizimin e regjimit iranian.
Ai paralajmëroi se në rast të shpërbërjes së Iranit, Turqia, si një vend me mbi 100 milionë banorë dhe traditë 600-vjeçare perandorake, mund të jetë aktori i radhës që do të ndikojë në stabilitetin rajonal, duke e bërë situatën në Lindjen e Mesme shumë të ndërlikuar dhe të paparashikueshme
““Po mirë, po u shpërbë dhe Irani, atëherë kujt i vjen radha? I vjen radha Turqisë. Por, më fal pak, po erdhi puna te Turqia, sepse je duke folur për një popull prej 100 milionësh, i cili është në avangardë të teknologjive të ushtrisë, ka një të kaluar perandorake prej rreth 600 vjetësh dhe nuk e harron atë historikisht. Ndikimi i saj është i gjerë, fillon nga uji i gurët e Kinës e shtrihet deri në Algjeri, dhe kjo e bën lojën shumë komplekse. Nuk është thjesht një lojë politike e zakonshme; këtu bëhet fjalë për një përzierje të historisë, fuqisë teknologjike, interesave rajonale dhe ndikimeve kulturore që mund të shpërthejnë në çdo moment. Pra, çdo lëvizje në këtë skenar ka efekt zinxhir dhe kur flasim për Turqinë, nuk është vetëm një shtet që duhet të mbikëqyret për kufijtë e saj, por një aktor kyç që mund të ndikojë drejtpërdrejt në balancën e fuqisë në gjithë Lindjen e Mesme dhe më gjerë”, tha Hila.
Hila gjithashtu shpjegoi se konflikti ka një dimension strategjik dhe teknologjik të thellë, duke prekur programin bërthamor iranian dhe interesat amerikane dhe izraelite. Ai theksoi se ndërprerja e negociatave në Gjenevë dhe mospranimi i Iranit për të hequr dorë nga pasurimi i uranit kanë rritur tensionet, ndërsa sipas inteligjencës amerikane, programi bërthamor nuk është ndërprerë, por po transformohet në një mjedis të ri.
“Është një luftë vlerash dhe interesa, dhe edhe pse pati ndërhyrje diplomatike nga SHBA për të shmangur dhunën dhe destabilizimin, situata mbetet e tensionuar. Rreth 79% e amerikanëve janë kundër luftës,” përfundoi Hila.










