Tashmë kanë kaluar tre ditë që kur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 4 nëntor, mandatoi Glauk Konjufcën nga Lëvizja Vetëvendosje për të formuar Qeverinë e re të vendit. Konjufca ka në dispozicion 15 ditë për t’ia paraqitur Kuvendit përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, i cili duhet të marrë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve për t’u votuar.
Vendimi i presidentes Osmani erdhi pas takimeve me liderët e partive të tjera parlamentare, të cilët njoftuan se nuk dëshironin të propozonin mandatar për formimin e qeverisë. Në këtë situatë, sipas Kushtetutës, nëse ekziston një emër i propozuar për mandatarin e dytë, presidentja është e detyruar ta emërojë atë dhe nuk ka hapësirë për refuzim.
Osmani kujtoi se, bazuar në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, nëse pas dy përpjekjeve nuk arrihet formimi i qeverisë, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Është interes i qytetarëve që të kemi institucione funksionale dhe të bëhen çdo përpjekje e mundshme për krijimin e tyre, në mënyrë që të miratohen vendime të rëndësishme për vendin”, deklaroi presidentja, duke përmendur ndër të tjera nevojën për votimin e zgjatjeve buxhetore, përgatitjen e buxhetit të vitit 2026 dhe ratifikimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare.
Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje e ka bindur se ekzistojnë gjasa reale për formimin e qeverisë së re, megjithëse – siç theksoi ajo – Kushtetuta nuk kërkon garanci, por vlerësim të mundësive.
“Askund në Kushtetutë dhe në aktgjykime nuk kërkohen garanci; kërkohen gjasa, dhe ka dallim të madh mes tyre. Garancia jepet në Kuvend, ndërsa gjasat ofrohen në zyrën time. Nga Vetëvendosja më kanë bindur se kanë gjasa të formojnë qeverinë dhe këtë e kam konsideruar të mjaftueshme për të dhënë mandatin”, tha Osmani.
Ndërkohë, Konjufca pritet që në ditët në vijim të zhvillojë takime me përfaqësues të partive parlamentare për të siguruar shumicën e nevojshme, ndërsa afati kushtetues për paraqitjen e kabinetit të tij skadon më 19 nëntor.
Politologu Ramadan Gjanaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se mandati i Glauk Konjfucës është një zgjidhje e domosdoshme.
Por, sipas tij, ky propozim do të mund të ishte bërë që në mars 2025.
“Mandati i Glauk Konjufcës është një zgjidhje e domosdoshme, por e vonuar, që reflekton krizën e identitetit të Lëvizjes Vetëvendosje si parti i lindur dhe zhvilluar si opozita e vetme reale në spektrin politik kosovar në vitet e pasluftës. Në 2021, LVV-ja fitoi zgjedhjet me shumicë absolute historike, duke mos pasur nevojë të ndante pushtetin me parti të tjera shqiptare – një model që e forcoi kulturën e saj të vendimmarrjes ekskluzive dhe pa kompromis. Në 2025, edhe pse mbetet partia e parë shqiptare, nuk e ka më shumicën absolute, çka e detyron të hyjë në negociata koalicioni – një terren i panjohur dhe i papëlqyer për të. Në këtë kontekst, propozimi i Konjufcës – që mund të ishte bërë që në mars 2025 – duket si një lëvizje taktike e vonuar për të shmangur zgjedhjet e reja, por edhe si një hap i domosdoshëm drejt pjekurisë politike”, deklaron Gjanaj.
Tutje, duke iu referuar deklaratës së Konjfucës, Gjanaj, thotë se edhe nësë i siguron 61 vota, qeveria do të jetë kalimtare dhe ka sinjal të qartë.
“Vetë Konjufca e ka deklaruar se, nëse siguron 61 vota, qeveria do të jetë kalimtare deri në prill 2026, me fokus vetëm në buxhetin 2026 dhe çlirimin e fondeve evropiane të bllokuara (Plani i Rritjes). Kjo është një sinjal i qartë i hapjes, sidomos ndaj LDK-së, e cila pak kohë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit kërkonte një “qeveri të unitetit kombëtar” kalimtare. Është një kompromis i detyruar nga aritmetika, por që tregon se LVV-ja po mëson – ngadalë – se të qenit i pari nuk mjafton më për të imponuar vullnetin eksklusiv”, shton politologu.
Ai thotë se gjasat janë të ulëta për qeverinë Konjfuca, por jo zero.
Sipas tij, çelësi është te LDK dhe te disa deputetë të AAK-së ose të pavarur.
“Gjasat janë të ulëta, por jo zero – dhe suksesi varet pikërisht nga aftësia e LVV-së për të dalë nga kultura e saj e vjetër e “të parit = të drejtë absolute”. Për të mbërritur te 61, i duhen disa vota hua dhe këtu hapja e Konjufcës drejt një qeverie kalimtare deri në prill 2026 (vetëm buxhet + fonde UE) është çelësi. LDK-ja është kandidati më i mundshëm mbasi që nga 10 shkurti 2025 kërkoi qeveri uniteti, dhe tani ka një ofertë konkrete – pa Kurtin në krye, pa program ideologjik, vetëm për buxhet dhe stabilitet, të paktën deri në zgjedhjet presidenciale. Disa deputetë të AAK-së ose të pavarur mund të pranojnë nëse u ofrohen postë teknike (ekonomi, shëndetësi). PDK-ja duket e mbyllur, por presioni ndërkombëtar (SHBA, BE) për të shmangur zgjedhjet mund të lëvizë disa individë. Nëse dështon deri më 19 nëntor, zgjedhjet e reja në dhjetor 2025 janë të pashmangshme – dhe kjo do të ishte dështimi i radhës i partive politike për të kuptuar se pa kompromis, nuk ka qeverisje stabile. Partnerët ndërkombëtarë, sidomos SHBA dhe BE, e kanë bërë të qartë: duan stabilitet e jo fushata të reja”, shprehet Gjanaj.
Glauk Konjfuca i cili në legjislaturën e kaluar ka qenë Kryetar i Kuvendit, edhe në këtë legjislaturë u pa si figurë e përshtatshme nga PDK dhe AAK për në krye të Kuvendit, por një mendim të njëjtë nuk e kanë edhe për kryeministër të vendit.
Sikurse LDK dhe Nisma Socialdemokrate, edhe PDK dhe AAK janë për zgjedhje të reja.
I pyetur nëse opozita po bie në kontraditë me këto deklarime, Gjanaj pohon një gjë të tillë, por ai e konsideron LDK-në kontraditore, ndërsa thotë se PDK e AAK e kanë pranuar Konfjucën si kryetar të Kuvendit, por për kryeministër aritmetika ndryshon.
Partitë e tjera shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kanë kërkuar që Osmani të shpallë zgjedhje të reja.
“Po, tani opozita e sidomos LDK-ja mund të bie në kontradiktë të plotë. PDK dhe AAK e pranuan Konjufcën si kryetar Kuvendi në 2021duke e quajtur “figurë konsensuale”. Tani nëse vazhdojnë ta refuzojnë Konjufcen për kryeministër jo sepse ka ndryshuar ai, por sepse ka ndryshuar aritmetika, atëherë besoj se edhe publiku nuk do ta kuptojë një vendim të tillë. Nuk duhet harruar se tri palë zgjedhje brenda 18 muajsh (shkurt 2025, dhjetor 2025, prill 2026) dëmtojnë rëndë Kosovën në çdo aspekt e sidomos ndërkombëtarisht. BE-ja ka ngrirë fonde të Planit të Rritjes për shkak të paqëndrueshmërisë, SHBA-ja ka paralajmëruar “lodhje” me ciklin e zgjedhjeve dhe Kosova rrezikon të humbasë momentin strategjik në dialogun me Serbinë dhe njohjet e reja. Një qeveri teknike kalimtare me Konjufcën, e mbështetur nga LVV + LDK + disa minoritarë, pa ideologji, vetëm për ta miratuar një buxhet dhe për ti garantuara fondet e BE-së, pikërisht siç propozoi Konjufca dhe siç e kishte kërkuar vetë LDK-ja që në mars 2025 mund të ishte një pikënisje e mirë për të ndërtuar një besim te ri mes partive që do të marrin pjesë ne qeverinë Konjufca. Është koha që të gjithë të dalin nga kultura e “fituesit absolut” apo të “bllokadës absolute” dhe të pranojnë kompromisin si normë demokratike”, përfundon politologu.










