Gjashtë shtete të fuqishme do të ndihmojnë për lundrim të sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit, reagon Irani

Në një deklaratë të përbashkët, liderët e Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Italisë, Holandës dhe Japonisë i dënuan sulmet e Iranit ndaj anijeve tregtare të paarmatosura, sulmet ndaj objekteve të naftës dhe gazit, si dhe mbylljen e ngushticës, duke theksuar se liria e lundrimit është një parim themelor i së drejtës ndërkombëtare, përcjell INA.

Britania e Madhe dhe gjashtë vende të tjera deklaruan se janë të gatshme të ndihmojnë në sigurimin e kalimit të sigurt të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit.

Në deklaratën e përbashkët të kryeministrit britanik me liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Holandës dhe Japonisë thuhet gjithashtu se do të punojnë për stabilizimin e tregjeve energjetike.

“Ne i dënojmë fuqishëm sulmet e fundit të Iranit ndaj anijeve tregtare të paarmatosura në Gjirin Persik, sulmet ndaj infrastrukturës civile, përfshirë objektet e naftës dhe gazit, si dhe mbylljen de facto të Ngushticës së Hormuzit nga forcat iraniane. Shprehim shqetësim të thellë për përshkallëzimin e konfliktit. I bëjmë thirrje Iranit që menjëherë të ndalojë kërcënimet, vendosjen e minave, sulmet me dronë dhe raketa, si dhe të gjitha përpjekjet për të bllokuar ngushticën për trafikun komercial dhe të veprojë në përputhje me Rezolutën 2817 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Liria e lundrimit është një parim themelor i së drejtës ndërkombëtare, përfshirë edhe Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Liderët theksojnë se pasojat e veprimeve të Iranit do të ndihen nga njerëzit në mbarë botën, veçanërisht nga më të cenueshmit.

“Në përputhje me Rezolutën 2817, theksojmë se ndërprerja e tillë e lundrimit ndërkombëtar dhe prishja e zinxhirëve globalë të furnizimit me energji përbëjnë kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Në këtë drejtim, bëjmë thirrje për një moratorium të menjëhershëm dhe gjithëpërfshirës ndaj sulmeve mbi infrastrukturën civile, përfshirë objektet e naftës dhe gazit. Shprehim gatishmërinë për të kontribuar në përpjekjet për sigurimin e kalimit të sigurt nëpër ngushticë”, shtohet në deklaratë./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu