Gjenerali Ramadan Qehaja paralajmëron: Stërvitja serbe pranë kufirit me Kosovën nuk ishte e zakonshme

Screenshot

Gjenerali Ramadan Qehaja ka reaguar lidhur me stërvitjen ushtarake të zhvilluar një ditë më parë nga Brigada e 63-të parashutiste e Serbisë përgjatë vijës kufitare me Kosovën, në zonën e fshatrave Muhovc dhe Breznicë, që ndodhen në territorin e Serbisë.

Sipas Qehajës, duke pasur parasysh pozitën gjeografike, taktike dhe topografike-orografike të kësaj zone, është vështirë të besohet se bëhet fjalë vetëm për një stërvitje të zakonshme ushtarake. Ai vlerëson se, përveç demonstrimit të forcës, qëllimi i saj ka qenë frikësimi i popullatës shqiptare në atë pjesë dhe dërgimi i një mesazhi të drejtpërdrejtë për Kosovën.

Në analizën e tij, Qehaja thekson se pikërisht ajo zonë mund të përdoret në rrethana të caktuara si korridor për depërtim të përshpejtuar drejt rajonit Kamenicë–Dheu i Bardhë. Sipas tij, forcat serbe mund të aktivizonin drejtimet Vranjë–Vërtogosht–Ushi–Karaçevë, si dhe Bujanoc–Tërnoc i Vogël–Breznicë, me synim krijimin e kushteve për pozicionim në rajonin më të gjerë të Gjilanit.

Gjenerali nënvizon se këto elemente duhet të merren seriozisht në konsideratë nga institucionet e sigurisë së Kosovës gjatë hartimit të masave të gatishmërisë luftarake. Ai thekson se, krahas vëmendjes për mbrojtjen e pjesës veriore të vendit, kujdes i shtuar duhet t’i kushtohet edhe kësaj pjese të territorit.

Qehaja shton se vlerësimet e tij mbështeten në lëvizjet e vazhdueshme të forcave serbe, të cilat ai i quan kërcënim historik, si dhe në situatën komplekse të sigurisë globale, ku – sipas tij – asnjë skenar nuk duhet të neglizhohet, edhe nëse për disa mund të tingëllojë alarmist. /INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu