Gjermania ka popullsinë më të vjetër në moshë pune në Bashkimin Evropian, ku pothuajse çdo i katërti punonjës është mbi 55 vjeç. Kështu bëhet e ditur nga të dhënat e publikuara nga Zyra Federale e Statistikave – Destatis.
Sipas statistikave, në vitin 2024, në Gjermani ishin të punësuar rreth 40.9 milionë persona të moshës nga 15 deri në 64 vjeç, prej të cilëve 9.8 milionë i përkisnin grupmoshës 55–64 vjeç, që përfaqëson 24 për qind të fuqisë punëtore.
Arsyet kryesore lidhen me plakjen demografike të popullsisë, por edhe me faktin se qytetarët po dalin në pension më vonë krahasuar me vitet e kaluara. Të dhënat nga Sigurimi Gjerman i Pensioneve tregojnë se në vitin 2024, mosha mesatare e daljes në pension ishte 64.7 vjeç, nga 63 vjeç sa ishte më parë.
Gjatë kësaj periudhe, mosha ligjore e pensionimit është rritur gradualisht, ndërsa janë hequr edhe skemat e pensionimit të parakohshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e numrit të punonjësve më të moshuar në tregun e punës.
Në nivel të Bashkimit Evropian, punonjësit mbi 55 vjeç përbëjnë rreth 20.1 për qind të fuqisë punëtore, sipas Eurostat. Pas Gjermanisë, Italia renditet e dyta me 23 për qind, ndërsa Bullgaria e treta me 22.3 për qind.










