Gjermania nuk pranon më punëtorë nga vendet e Ballkanit, ja arsyet?

Kuota për lëshimin e lejeve të punës në Gjermani, bazuar në rregulloren e posaçme dhe preferenciale për Ballkanin Perëndimor për vitin 2025, është plotësuar dhe deri në fund të vitit nuk do të miratohen kërkesa të reja.

Sipas procedurës së miratuar në qershor të vitit 2024, punëdhënësit gjermanë fillimisht duhet të marrin miratim paraprak nga Agjencia Federale e Punësimit, e më pas punëtorët nga Ballkani Perëndimor me të cilët kanë lidhur kontratë pune, i marrin dokumentet e nevojshme në përfaqësitë konsullore përmes një procedure të përshpejtuar, së bashku me kontratën dhe lejen përkatëse.

Në qershor 2024, kontingjenti vjetor i këtyre lejeve të punës u rrit në 50.000, transmeton Beta.

Agjencia gjermane e punësimit i ka njoftuar punëdhënësit se deri në fillim të dhjetorit janë ndarë të gjitha 50.000 lejet e punës dhe se çdo kërkesë e ardhshme për këtë vit do të refuzohet. Këto kërkesa të refuzuara nuk do të kalojnë automatikisht për vitin e ardhshëm; punëdhënësit do të duhet të dorëzojnë kërkesë të re, të cilën mund ta bëjnë që gjatë muajit dhjetor.

Rregullorja e posaçme për Ballkanin Perëndimor vlen për punëtorët nga: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Megjithatë, koalicioni qeverisës gjerman – demokristianët (CDU dhe CSU) dhe socialdemokratët (SPD) – në marrëveshjen qeverisëse është pajtuar që numri prej 50.000 lejeve të reduktohet në gjysmën e tij, çka është pritur me kritika të shumta nga shoqatat e punëdhënësve.

Veçanërisht kundër këtij vendimi u shpreh Shoqata Gjermane e Hotelierëve dhe Gastronomisë (DEHOGA), e cila theksoi se sektorit të shërbimeve ende i duhen punëtorë të motivuar, dhe se numri i lejeve për Ballkanin Perëndimor madje duhet rritur dhe zgjeruar edhe për vende të tjera.

DEHOGA gjithashtu potencoi se shqetësimet për ngarkimin e sistemit social gjerman nuk qëndrojnë, pasi rregullorja e Ballkanit Perëndimor kërkon që punëtorët të kenë kontratë pune të vlefshme që garanton të ardhura dhe mjetet e jetesës./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu