Gjiganti evropian për prodhimin e armëve hyn në Ballkan, bleu një fabrikë

Prodhuesi më i madh gjerman i armatimeve, Rheinmetall AG, po zgjeron prezencën e tij në Ballkan përmes blerjes së paketës mazhoritare të aksioneve në kompaninë kroate DOK-ING, e specializuar për prodhimin e sistemeve tokësore pa ekuipazh (robotikë ushtarake), përcjell INA.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Zagreb, Rheinmetall do të zotërojë 51% të aksioneve, ndërsa themeluesi Vjekoslav Majetić do të mbajë 49%. Ky hap konsolidon pozitën e gjigantit nga Dysseldorfi në zhvillimin e teknologjive të avancuara të mbrojtjes, në një kohë kur kërkesa globale për armatim ka arritur nivele rekord.

Nën drejtimin e CEO-s Armin Papperger, Rheinmetall është shndërruar në një fuqi ekonomike brenda indeksit gjerman DAX. Rritja e kompanisë pas pasojave të luftës në Ukrainë pasqyrohet në shifra mbresëlënëse:

Të ardhurat vjetore (2024): Afro 10,000 milionë euro (10 miliardë €).

Portofoli i porosive: Ka arritur vlerën rekord prej 64,000 milionë euro (64 miliardë €).

Rritja e aksioneve: Janë rritur me rreth 1,000% që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë.

“Ka filluar era e riarmatimit,” deklaroi Papperger, duke vënë në dukje se kompania po investon masivisht në kapacitete të reja prodhuese në Gjermani, Rumani, Lituani dhe tani në Kroaci.

E themeluar në vitin 1889, Rheinmetall ka një histori të gjatë që nga prodhimi i municioneve për Perandorinë Gjermane e deri te makinat e shkrimit dhe pajisjet bujqësore pas Luftës së Parë Botërore. Sot, ajo është partneri kyç i NATO-s, përgjegjëse për armatimin e tankeve Leopard 2 dhe prodhimin e sistemeve të avancuara elektronike të mbrojtjes.

Hyrja në tregun kroat përmes DOK-ING tregon orientimin e kompanisë drejt robotikës ushtarake dhe sistemeve autonome, të cilat po bëhen vendimtare në teatrot moderne të luftës. Përveç Ballkanit, Rheinmetall ka hapur së fundmi edhe një sipërmarrje të përbashkët në Kiev për mirëmbajtjen dhe prodhimin e mjeteve të blinduara./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu