Politikanët gjermanë e pëlqejnë të thonë se “puna duhet të shpërblehet”. Por gjithnjë e më shumë të punësuar me kohë të plotë kanë nevojë për ndihmë shtetërore, ndërsa rritja e re e pagës minimale konsiderohet zhgënjyese.
Kancelari Friedrich Merz doli para pak ditësh në foltoren e Bundestagut që – në stilin e tij karakteristikisht të drejtpërdrejtë – të paraqesë qëndrimin për atë që ai e quan një nga prioritetet kryesore të qeverisë së tij: planet për reformën e kompensimit të papunësisë, të ashtuquajturin “kompensimi qytetar”. Ai përdori një shprehje tashmë të njohur, pikërisht se puna duhet të shpërblehet. Ai dëshiron “të sigurojë që njerëzit në Gjermani si tërësi të mund të binden sërish se përpjekjet e tyre vlejnë dhe se sërish do të zbatohet parimi i pagës në bazë të performancës”.
Por, ky pohim i tij në një farë mënyre zbehet nga statistikat që u publikuan pak ditë më parë: në vitin 2024 rreth 826 mijë punëtorë kanë qenë të varur nga përfitimet sociale, gjegjësisht nga “kompensimi qytetar”, siç quhet ndihma në Gjermani. Kjo përbën një rritje prej rreth 30 mijë vetash krahasuar me vitin 2023, kur për herë të parë që nga viti 2015 u rrit numri i të punësuarve që marrin shtesa sociale. Ajo ishte ndoshta jo rastësisht edhe viti kur Gjermania e vendosi për herë të parë pagën minimale bazë. Në atë kohë më shumë se një milion punëtorë ende vareshin nga ndihmat shtetërore – një numër që prej atëherë kishte rënë vazhdimisht. Këto përfitime shtesë i kushtuan shtetit gati 7 miliardë euro në vitin 2024 – mbi një miliard më shumë se 5.7 miliardë eurot që u paguan në vitin 2022 për raste të tilla. Qeveria i publikoi këto të dhëna si përgjigje ndaj një pyetjeje parlamentare të parashtruar nga deputeti Cem Ince i partisë e Majta, i cili për DW deklaroi se “është e papranueshme që qindra mijëra njerëz të varen nga ndihma shtetërore megjithëse janë të punësuar. Kjo do të thotë se ne po mbështesim pagat e ulëta dhe po vazhdojmë shfrytëzimin e fuqisë punëtore”.
Rritja e pagës minimale
Ince vlerëson se shifrat tregojnë se paga minimale në Gjermani është thjesht shumë e ulët. Edhe pse ishte rritur dukshëm nga qeveria e mëparshme – në 12 euro për orë pune në fillim të vitit 2023 – që atëherë është rritur vetëm minimalisht, në 12.82 euro për orë. Të premten (27.06), Komisioni gjerman për pagën minimale, i përbërë nga përfaqësues të shoqatave të punëdhënësve dhe sindikatave, njoftoi se paga minimale do të rritet në dy faza, përkatësisht në 13.90 euro më 1 janar 2026 dhe më pas në 14.60 euro një vit më vonë – që është më pak se 15 eurot për të cilat u angazhuan Socialdemokratët (SPD) gjatë fushatës zgjedhore.
Helena Steinhaus, themeluese e fushatës “Pa sanksione”, e cila mbështet njerëzit që jetojnë nga ndihmat sociale, thotë se këto rritje të vogla nuk janë në përputhje me rritjen e qirave dhe kostove të jetesës në vitet e fundit. Për shembull, qiraja mesatare në Gjermani u rrit me 4.7% vetëm vitin e kaluar, ndërsa në Berlin madje me 8.5%. “Do të thoja që kjo është përgjigjja jonë përse gjithnjë e më shumë njerëz duhet të plotësojnë të ardhurat e tyre – sepse paga minimale, edhe kur punohet me orar të plotë, nuk e mbulon atë që duhet të mbulojë”, thekson Steinhaus.
Problemi me punën me orar të shkurtuar
Megjithatë, disa ekonomistë pretendojnë se paga minimale ka pak lidhje me numrin e punëtorëve që kanë nevojë për përfitime sociale. “Duhet kuptuar se shumica e këtyre njerëzve nuk punojnë me orar të plotë. Shumica janë në trajnim ose punojnë me orar të shkurtuar”, thotë Holger Schäfer, ekonomist i lartë në Institutin Ekonomik Gjerman në Këln. “Paga minimale nuk do t’ju ndihmojë, sepse arsyeja pse njerëzit nuk arrijnë të jetojnë nga paga nuk është çmimi për orë, por numri i vogël i orëve të punës”, argumenton ai.
Shifrat e konfirmojnë këtë pamje – sipas Agjencisë Federale për Punësim, nga 826 mijë punëtorë që marrin përfitime, vetëm rreth 81 mijë kanë punuar me orar të plotë. Por, kjo nuk është justifikim për të paguar paga të ulëta, thekson Ince. “Fakti është se paga minimale aktuale është pagë varfërie! Punëdhënësit nuk mund të justifikohen kështu”, thotë ai. “Numri i njerëzve që marrin ndihma shtesë varet kryesisht nga pagat e ulëta. Një nga hulumtimet e mia të fundit ka zbuluar se njerëzit që marrin pagë minimale për punë me orar të plotë nuk mund të përballojnë banim të përshtatshëm në gjysmën e qyteteve të mëdha në Gjermani dhe varen nga mbështetja financiare”, thekson ai.
Varfëria në rritje
Sidoqoftë, argumenton Steinhaus, arsyeja pse shumë njerëz punojnë me orar të shkurtuar është e thjeshtë. Ajo thotë se ata kanë fëmijë apo persona të tjerë në përkujdesje, dhe shumë qytete gjermane nuk kanë infrastrukturë për kujdesin ndaj fëmijëve. Instituti Ekonomik i Këlnit llogariti vitin e kaluar se 306 mijë fëmijë nën moshën tre vjeç në Gjermani nuk kanë vend në çerdhe apo institucione parashkollore, edhe pse me ligj kanë të drejtë për një të tillë. Një studim i vitit 2021 nga Instituti për Kërkime të Punësimit zbuloi se sa më shumë fëmijë të kenë punëtorët, aq më e madhe është gjasat që do të kenë nevojë për ndihma. Ince, deputeti i së Majtës, pohon se nëse shteti investon më shumë në çerdhe dhe kopshte, “kjo do t’u mundësojë shumë njerëzve të shpëtojnë nga kurthi i punës me orar të shkurtuar”.
Megjithatë, Schäfer pretendon se rritja e pagës minimale nuk është zgjidhje dhe madje mund të jetë kundërproduktive. “Kjo mund ta përkeqësojë situatën nëse kompanitë kufizojnë punësimin për shkak të kostove më të larta”, vlerëson ai për DW.
Steinhaus, nga ana tjetër, nuk bindet dhe thotë se “shoqatat e punëdhënësve e kanë përdorur të njëjtin argument tash 10 vjet, por asnjëherë nuk është vërtetuar se ka ndodhur ashtu”. “Sigurisht që ka firma që përballen me vështirësi pasi rritet paga minimale, por shumë kompani përfitojnë nga fakti që mund të punësojnë njerëz për paga të ulëta”, thekson ajo.
Merz dhe reforma e tij për ndihmën sociale
Schäfer gjithashtu vlerëson se rritja e fundit e numrit të njerëzve që kanë nevojë për ndihma shtesë është relativisht e vogël dhe se trendi i përgjithshëm që nga viti 2015 mbetet i pandryshuar. Sipas tij, rritja nga viti i kaluar ka të bëjë më shumë me kushtet ekonomike të përgjithshme në tregun e punës sesa me faktorë të tjerë.
Ndërkohë, kancelari Merz ka të ngjarë të vazhdojë me planet e tij për të reformuar sistemin e përfitimeve sociale në përpjekje për të tërhequr më shumë njerëz në tregun e punës – edhe nëse disa prej atyre punëtorëve do të vazhdojnë të kenë nevojë për ndihmë shtetërore. “Fatkeqësisht, argumentet e Merz për punën janë të gabuara”, thekson Steinhaus dhe shton: “Kur ai thotë se puna duhet të shpërblehet, ai mendon se përfitimet e papunësisë duhet të shkurtohen. Por minimumi që ju nevojitet për të jetuar është i pavarur nga sa fitojnë punëtorët e varfër. Ata duhet të fitojnë më shumë, për këtë nuk ka dyshim. Por thjesht ulja e përfitimeve është kundërproduktive dhe krijon konkurrencë mes më të varfërve”, përfundon Steinhaus./DW