Gjuha shqipe dhe huazimet greke

Shkrim për InfoShqip.com nga Donika Bakiu

Gjuha shqipe bën pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane. Në rrjedhën e shekujve,disa nga gjuhët indoevropiane janë zhdukur, të tjerat kanë pësuar ndryshime shumë të mëdha dhe si rrjedhim janë larguar shumë njëra nga tjetra, duke u zhvilluar si gjuhë më vete madje, në disa raste, si grupe gjuhësh të veçanta. Kështu p.sh., shqipja, greqishtja, armenishtja përbëjnë secila një gjuhë të veçantë.

Shqipja, si një nga gjuhët e gjalla indoevropiane, u ka qëndruar rrebesheve të kohëve. Kjo tregon qartë se stërgjyshërit e shqiptarëve e kanë ruajtur atë brez pas brezi si gjënë më të çmuar, të trashëguar nga të parët e vet. E duke ruajtur kështu gjuhën amtare, ata mundën t‘i shpëtonin asimilimit nga ana e pushtuesve të ndryshëm, që kanë zëvendësuar njëri-tjetrin në trojet e tyre gjatë shekujve. Gjuha shqipe ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e gjuhëtarëve dhe të studiuesve të ndryshëm.

I pari që vërtetoi bindshëm përkatësinë e saj në familjen e gjuhëve indoevropiane, ishte gjuhëtari gjerman F.Bopp, që arriti në përfundimin se shqipja i përket familjes indoevropiane, porse “Në elementet e saj themelore nuk ka ndonjë lidhje më të ngushtë ose,aq më pak,ndonjë lidhje derivacioni me asnjërën nga gjuhët motra sanskrite (indoevropiane) të kontinentit tonë”.

Huazim quhet fjalë a njësi tjetër gjuhësore, që është marrë prej një gjuhe tjetër dhe përdoret në gjuhën amtare. Huazimet greke kanë hyrë në gjuhën shqipe në kohë të ndryshme. Ndikimi i greqishtes së vjetër në gjuhën shqipe sidomos sferën e bimëve, veçanërisht të bimëve të kuzhinës e atë të pemëve. Hyjnë këtu ndër të tjera: kerasia-qershi, péponon-pjepër, pjepën, lakhanon-lakër, lakën, lapathe-lëpjetë, prason-presh.Prof. E. Çabej pohon se ―në të tilla huazime na pasqyrohet një ndikim kulturor i shënueshëm i Greqisë së vjetër në vendin tonë. Vihet re se këto huazime janë relativisht të pakta. Aq më të shumta janë ato që kanë hyrë nga greqishtja e mesme dhe nga e reja. Në disa raste është e vështirë të bëhet një dallim i prerë midis elementeve të vjetra, të mesmevet e të rejavet.

‘’Në gjuhën shqipe kanë hyrë nga greqishtja edhe dhjetëra fjalë të tjera sicuks (djeg, përcëllon), farmakos (helmoj), feks (shkëlqen), gremis (rrëzoj), honeps (pëlqej), karfos (ngul), kakaris, katandis(çoj në pikë të hallit), kolis (ngjis), kopanis (rrah rrobat me kopan kur i laj), kuis, kumbis, kumbisem (mbështes trupin ose kokën), lips (e flak tutje, e përzë, e shporr, e largoj), lajthis (gaboj pa dashur, ngatërrohem për diçka), llahtaris (frikësoj shumë dikë), llogaris (numëroj ose njehsoj diçka, kontrolloj me mend), mbodhis (vonoj, pengoj), miros (parfumoj, lyej me vaj të bekuar), mirosem (përmirësohem), moleps (ndot, i ngjit dikujt një sëmundje), nanuris (vë në gjumë foshnjën duke i kënduar), ormis (ndreq, gatit, rregulloj), pikas (vë re, zbuloj dikë që kërkon të fshihet), pleks (thur, gërshetoj, ngatërroj), piks (mpiks, ngjiz), psonis (blej), qëndis (qëndis një çentro), qeras (gostitdikë me pije dhe ëmbëlsira), qeveris (drejtoj), skalis (gdhend, punoj me daltë gurin), sos (i jap fund diçkaje), stis (ngre), stolis (zbukuroj), tagjis (ushqej), taks, taksem (premtoj), tendos (shtrij), tromaks (frikësoj), vithis, vithisem (fundos, humb, shemb), zalis (bëj që të bie të fikët), zilepsem (kam zili)etj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu