Gjuriq reagon ndaj urdhër arrestit të organeve kosovare për Radoiçiqin

I ashtuquajturi drejtor i zyrës së qeverisë së Serbisë për Kosovë Marko Gjuriq ka deklaruar sot se urdhër arresti për zëvendëskryetarin e Listës Serbe Millan Radoiçiq dhe aktakuza kundër ish ministrit në qeverinë e Kosovës Ivan Todosijeviq, “janë mesazh për serbët se rezistenca e tyre është e pashpresë dhe se “vetë dëshirës së Prishtinës” nuk mund t’i ikin as liderët lokalë politikë serbë”.

Gjuriq ka pretenduar se “gjuetia ndaj funksionarëve të Listës Serbe është pjesë e luftës speciale me të cilën Prishtina po mundohet të krijojë bindje se serbët në veri të Kosovës nuk kanë asnjë mbrojtje sistemore”.

“Me mesazh se drejtësia kosovare është nën projektin e dominimit të plotë të shqiptarëve në Kosovën e vetëshpallur, serbëve iu sugjerohet që çdonjëri prej tyre mund të gjendet nën goditje të një sistemi të tillë dhe se për ta nuk vlen asnjë e drejtë njerëzore dhe demokratike”, ka pretenduar Gjuriq.

Ai i ka porositur serbët në Kosovë se “duhet të dinë se Serbia është garantuese e sigurisë dhe dinjitetit të tyre dhe se në mënyrë më të vendosur do t’i kundërvihet përpjekjeve të dominimit të Prishtinës nëpër hapësirat serbe në Kosovë”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu