Gjurmëve të Cristiano Ronaldos – si e konfirmojnë shifrat impaktin e Kylian Mbappe te Real Madridi

Duket e pabesueshme të mendosh se një lojtar i Real Madridit mund të krahasohet me ritmin golashënues të Cristiano Ronaldos. Megjithatë, Kylian MbappE, në vetëm pak më shumë se një sezon në “Santiago Bernabeu”, po i afrohet shifrave të portugezit dhe madje këtë edicion po i tejkalon ato.

Francezi ka shënuar 9 gola në 7 ndeshje të La Ligës, duke regjistruar një mesatare prej 1.28 golash për ndeshje. Për krahasim, rekordi më i mirë i CR7 ishte në sezonin 2014/15 kur shënoi 61 gola në 54 ndeshje (mesatarja 1.12).

Pavarësisht formës së jashtëzakonshme të Ronaldos, ai sezon nuk solli trofetë më të mëdhenj për Real Madridin e Carlo Ancelottit.

Mbappe tregoi fuqinë e tij që në sezonin e parë me Real Madridin, duke realizuar 44 gola në 59 paraqitje – një mesatare prej 0.74 për ndeshje – shifër që barazoi rekordin e tij personal nga edicioni i fundit me PSG.

Tashmë, që prej transferimit te ‘mbretërit’, ai ka 53 gola në 66 ndeshje, ose 0.8 për ndeshje.

Kjo statistikë e vendos francezin përpara legjendave si Di Stefano (0.78), Hugo Sanchez (0.73), Karim Benzema (0.55), Santillana (0.45) dhe Raul Gonzales (0.44). Mbi të qëndrojnë vetëm Cristiano Ronaldo (1.03) dhe Ferenc Puskas (0.92).

Përtej shifrave, Mbappe ka ndryshuar edhe në aspektin e personalitetit. Nga një fillim i kujdesshëm në një dhomë zhveshjeje plot yje, ai tashmë është shndërruar në lider. Gjuha e trupit, komunikimi me shokët e skuadrës dhe festimet e golave tregojnë një lojtar të vendosur për të marrë përsipër peshën e Real Madridit.

Dy golat e tij në fitoren 1-4 ndaj Levantes erdhën në momentin kur ndeshja po rrezikohej, duke e kthyer francezin në protagonistin kryesor. Edhe penalltitë, një element ku më parë kishte pasiguri, këtë sezon janë kthyer në armën e tij – me katër të shënuara pa gabim për Los Blancos dhe një tjetër me Francën.

Mbappe, lider i ri i Real Madridit

Tani pyetja e madhe është: sa larg mund të shkojë Mbappe? Me nisjen e fuqishme të sezonit 2025/26, francezi duket i aftë të arrijë ose edhe të kalojë mesataren “Cristiano” prej një goli për ndeshje – një nivel që Ronaldo e mbajti për gjashtë nga nëntë sezonet e tij te Real Madrid. Vetë fakti që krahasimi është i mundshëm, tregon për nivelin e jashtëzakonshëm të Mbappess dhe për fillimin shkatërrues të këtij sezoni. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu