Për shkak se mungojnë 21 vota për arritje të censusit, Gostivari rrezikon të shkojë në rivotim, përcjell TV221. Kandidati i AKI-së për kryetar të komunës së Gostivarit, Valbon Limani tha se po rishikohen procesverbalet dhe se deri sot në ora 19:00, do të dorëzojnë ankesa përkatëse, pas çka pret që të ketë rivotim në disa vendvotime, që të evitohen shpenzimet për ripërsëritje të votimeve në të gjithë komunën.
“Dallimi është 21 votë, dmth për 21 vota nuk është arrit censusi prej 1/3. Ekipi jonë është duke i shqyrtuar të gjithë procesverbalet në të gjithë vendvotimet dhe konform, afateve ligjore deri sot në orën 19. Aty ku kemi bazë ligjore me shumë gjasa edhe do ta ankimojmë edhe ndonjë vendvotim. Do ta presim përgjigjen e Komisionit Qendror Zgjedhor në lidhje me ankesat tona. Besoj se aty ku ka bazë ligjore, në qoftë se e njëjta pranohet nga ana e KQZ-së, do të presim të ketë rivotim në atë vendvotim, sepse, dallimi në vota është shumë i vogël dhe gjithsesi ajo do ndikon në rezultatin përfundimtar, por edhe në arritjen e censusit në këtë rast. Po sipas ekipit tonë ka disa mangësi, disa zbrazëtira ligjore dhe varësisht se si do të interpretohen, ligji është i qartë në lidhje me, ripërsëritjen e votimeve në qoftë se nuk arrihet censusi. Është normal në afat 60 ditësh pas, shpalljeve zyrtare të rezultateve duhet të mbahen zgjedhjet, domethënë ripërsëritja. Tash, besoj që edhe Komisioni Qendror Zgjedhor do ta bëjë ndoshta të pamundurën për shkak se bëhet fjalë për një buxhet të caktuar të cilin shteti duhet ta harxhon. E, duke ditur se kemi raund të dytë pas dy javëve, në qoftë se ka, them hapësirë ligjore, unë mendoj që shuma racionale është që kjo të mbahet më 2 nëntor. Në qoftë se jo, atëherë kur do ta sjellin vendimin, ne jemi të gatshëm sërish të ballafaqohemi në zgjedhje”, theksoi Limani.