Në nivel global, gratë fitojnë mesatarisht 20 për qind më pak se burrat, ose për çdo dollar që fiton burri, gruaja merr rreth 80 cent, informon Aleanca për barazi gjinore në vendin e punës me rastin e 18 Shtatorit, Ditës Ndërkombëtare të pagave të barabarta, përcjell TV21. Po si është në Maqedoni? Asgjë ndryshe nga gjendja në botë.
Edhe pse me ndryshimet e Ligjit për marrëdhënie pune janë përcaktuar paga e barabartë dhe trajtim i barabartë në lidhje me punësimin, praktika tregon se garancitë ligjore nuk janë të mjaftueshme. Hendeku gjinor në paga arrin rreth 13 për qind.
Diferenca më e madhe në pagën bruto mesatare vjetore mes burrave dhe grave është te të punësuarit në moshën 45-49 vjeç. Nga aspekti i shkallës së arsimimit, hendeku më i madh gjinor paraqitet te të punësuarit me arsim të lartë.