Gratë nga viset rurale në Maqedoni, të “diskriminuara” në punësim

Mungesa e kopshteve për fëmijë në viset rurale, bën që gratë ta kenë të vështirë gjetjen e një pune afatgjatë, duke i bërë ato të jenë të varura nga ndihma e rrethit familjarë, thonë organizatat që në fokus kanë të drejtat e grave.

Gyner Basha Nebiu, nga organizata “ANTIKO”, që në fokus ka të drejtat e grave, për Radion Evropa e Lirë thotë se shteti duhet të ofrojë zgjidhje sistemore për shumë probleme, me të cilat përballen gratë në vend, veçanërisht viset rurale, duke filluar me investimet nëshërbimet sociale, hapjen e azileve të pleqve, organizimit të jetës së personave në moshë, hapjen e kopshteve për fëmijë, sepse vetëm në këtë mënyrë do të sigurohen kushte që femra të jetë e barabartë në shoqëri.

Aktivistet për të drejtat e grave, si problem për përfshirjen e grave në sistemin e punës, fokusojnë stereotipet mbi baza gjinore, andaj kërkojnë që në politikat shtetërore duhet të përfshihen një varg masash që do të kontribuonin për eliminimin e stereotipave që nga mosha më e hershme.

Gjyla Çeliku nga Këshilli Iniciativa për përfshirjen e grave në politikë, thotë se gratë duhet të ngrenë zërin që t’i detyrojnë strukturat udhëheqëse të shtetit në programet e politikave sociale të inkorporojnë më shumë zgjidhje për problemet e grave, që ato të mund të ushtrojnë profesionin e tyre dhe jo aktivizimin e tyre në politikë ta shohin vetëm si mundësi për punësimin personal.

Në bazë të numrit të përgjithshëm të të punësuarve në Maqedoni, vetëm 43 për qind e tyre i takojnë gjinisë femërore, e të cilat kryesisht janë të angazhuara në profesione me paga të ulëta, si dhe 19 për qind e të punësuarve që i takojnë gjinisë femërore marrin paga më të ulëta se kolegët e tyre të gjinisë së kundërt pavarësisht se bëjnë punën e njëjtë.

Por, aktivistet për të drejtat e grave thonë se gjendja në terren është shumë më alarmante, ngase pjesa më e madhe e grave fare nuk paraqiten në Entin për Punësim.

Ndryshe, një studim i kryer nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), organi i saj për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave, si dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës në Shkup, i publikuar në qershor të këtij viti, ka nxjerrë në pah se më shumë se gjysma e grave të afta për punë në Maqedoni, nuk janë të angazhuara me punë, por bëjnë punë shtëpie pa pagesë, kujdesen për fëmijët dhe personat e moshuar në familje, pavarësisht se ato, me aftësime profesionale, do të mund të siguronin më shumë të ardhura sesa bashkëshortët.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu