Gazetari britanik, Tim Judah, në llogarinë e tij në Twitter ka shkruar lidhur me takimet e djeshme në Washington Thaçi – Vuçiq me ndërmjetësimin e këshilltarit të Donald Trump-it për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, dhe emisarit për dialogun, Richard Grenell
Siç ka shkruar Judah, përfaqësuesi special për Dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, dhe njerëzit e tjerë të administratës së Trump-it janë duke tentuar që të lëvizin shpejt drejt një marrëveshjeje të madhe Prishtinë-Beograd.
“Richard Grenell dhe njerëzit e Trump-it dëshirojnë të lëvizin shpejt në një marrëveshje të madhe”, ka shkruar Judah.
Judah, gjithashtu, ka specifikuar se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është në fund të mandatit dhe se kjo paraqet një problem, duke qenë se amerikanët janë duke bashkëpunuar intensivisht me të.
Sipas tij, kjo është edhe arsyeja pse Thaçit po i ngutet të përfshihet në një marrëveshje eventuale finale me Serbinë, derisa Judah kujton se Thaçi nuk mund të arrijë asgjë, përveç nëse e josh LDK’në.
Gazetari britanik, gjithashtu, ka përmendur edhe frikën nga Gjykata Speciale si një indikator.
Ndërkohë këtij konstatimi të gazetarit britanik i është përgjigjur Richard Grenell duke thënë se e ka gabim, pasi, sipas tij, askush nuk është duke synuar për t’i lëvizur gjërat shpejt dhe se nuk bëhet fjalë për një marrëveshje të madhe.
“Gabim. Ju nuk e dini se për çfarë po flisni. Askush s’është duke provuar që t’i lëviz gjërat shpejt dhe nuk bëhet fjalë për një marrëveshje të madhe. Ju po trilloni gjëra”, ka shkruar Grenell në llogarinë e tij zyrtare.










