Kiyriakos Mitsotakis, kryeministri i Greqisë ka bërë një deklaratë të fortë në Parlamentin helen, teksa njofton se shteti që udhëheq do të zgjerohet me 12 milje në detin Jon.
Teksa është duke mbajtur fjalim në Parlament, mbi ratifikimin e marrëveshjes detare me Italinë dhe Egjiptin, Mitsotakis tha se synimi kryesor është të rritet Greqia.
Mediat greke shkruajnë se kryeministri ka artikuluar një shtrirje në 12 milje për ujërat territoriale në detin Jon deri në Tainaro.
“Ne kemi rezultatin e një patriotizmi të ri. Në këtë kontekst, unë njoftoj sot se menjëherë me një projektligj që ne i paraqesim Parlamentit, Greqia zgjeron ujërat e saj territoriale në Perëndim nga gjashtë në 12 milje! Greqia po rritet. Të tjerët e kanë thënë vetëm si një premtim, por ne e kemi zbatuar atë në praktikë. Kështu veprojmë në një zonë deti. Konkretisht nga deti Jon deri në Tainaros. Një e drejtë që vendi ynë rezervon të ushtrojë në zona të tjera dhe fqinjët tanë kanë ushtruar tashmë në lidhje me Ligjin e Detit dhe rregullin e vijës së mesme, ku distanca është më pak se 6 ose 12 milje. Ministri i Jashtëm ka njoftuar homologët e tij italianë dhe shqiptarë”, tha ai në fjalën e mbajtur.
Duke iu referuar të dy marrëveshjeve asaj me Egjiptin dhe Italinë ai foli për “peshën kryesore historike dhe politike” duke theksuar se “fjalimi ynë sot duhet të jetë përgjegjës” për të mos dëmtuar strategjinë kombëtare të vendit.
“Të dy marrëveshjet janë bilaterale, por kanë “shkëlqim universal si një shembull i ndritshëm i pajtimit transnacional. Në dete si Mesdheu, zona e rafteve kontinentale është identike me EEZ”, tha ai, duke përmendur se ishujt grek, dhe Kastelorizo, kanë një EEZ dhe një raft kontinentale.
“Asgjë nuk po e ndalon vendin tonë që të zgjasë ujërat e saj territoriale në 12 milje,” shtoi ai. “Zgjidhja e zonave detare me vendet fqinje rikthen të drejtën ndërkombëtare dhe lejon përdorimin e burimeve të përbashkëta. Kushtet po rivendosin një regjim të legjitimitetit në rajon.”
Më tej kryeministri foli për një diplomaci aktive nga ana e Athinës dhe një politikë që po shpaloset gradualisht. “Greqia ruan në mënyrë aktive të drejtat e saj sovrane si në lindje të meridianit të 28-të ashtu edhe në perëndim të 26-të”.