Pesë vite pas zgjerimit të ujërave territoriale greke në Detin Jon nga 6 në 12 milje detare, ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Nikos Dendias, riktheu në vëmendje këtë vendim, të cilin e cilësoi si një nga aktet më të rëndësishme të politikës së jashtme greke. Në një postim në rrjetin social X, Dendias theksoi se Greqia ushtroi në praktikë një të drejtë sovrane, në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare dhe Konventën e Detit, duke nënvizuar se vendimi nuk mbeti thjesht në nivel deklaratash politike.
Dendias kujtoi gjithashtu se kishte pasur “nderin” ta paraqiste vetë këtë nismë në Parlament, kur mbante postin e ministrit të Jashtëm, ndërsa kryeministri Kyriakos Mitsotakis kishte deklaruar në janar 2021 se për herë të parë Greqia “u rrit” me mbi 10%, jo përmes pushtimit apo në dëm të vendeve të tjera, por mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare. Sipas tij, zgjerimi i ujërave në Jon përfaqëson një precedent të rëndësishëm për ushtrimin e të drejtave sovrane të vendit.
“5 vjet nga miratimi me shumicë nga Parlamenti i Greqisë i zgjerimit të ujërave tona territoriale në Detin Jon, nga 6 në 12 milje detare, të cilin pata nderin ta propozoj para përfaqësisë kombëtare, si Ministër i Punëve të Jashtme. Greqia nuk u kufizua thjesht në shpalljen e të drejtës së saj. Ajo e ushtroi atë në praktikë, duke u udhëhequr nga zbatimi i së Drejtës Ndërkombëtare dhe të Drejtës së Detit, ndërkohë që e bëri të qartë se ruan të drejtën e saj për zgjerimin e ujërave territoriale edhe në zona të tjera të territorit të saj”, shkruan Dendias në X.
Mesazhi i Dendias u shoqërua edhe me sinjale për të ardhmen. “Greqia ruan të drejtën e saj për zgjerimin e ujërave territoriale edhe në zona të tjera të territorit të saj”, më këtë ai lë të kuptohet se zgjerimi në Detin Jon ishte vetëm hapi i parë dhe se Greqia ruan të drejtën të zgjerojë ujërat territoriale edhe në zona të tjera. Këtë qëndrim e përforcoi më pas edhe ministri i Jashtëm Georgios Gerapetritis, i cili nga Parlamenti deklaroi se zgjerimi i mëtejshëm do të vijë së shpejti dhe se çështjet e sovranitetit nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë objekt negociatash.











