Gruaja që pretendon se vdiq gjatë një operacioni: Pashë Parajsën dhe Ferrin, u ktheva në jetë me një mesazh

Një grua 83-vjeçare, Kat Dunkle, pretendon se përjetoi një eksperiencë të jashtëzakonshme pranë vdekjes gjatë një operacioni urgjent, duke thënë se udhëtoi në Parajsë dhe Ferr përpara se të rikthehej në jetë me një mesazh që, sipas saj, i ndryshoi rrjedhën e jetës.
Sipas rrëfimit të saj, tragjedia nisi në vitin 1967, kur djali i saj shtatëvjeçar, Mark, humbi jetën pasi u godit nga një makinë. Humbja e rëndë, thotë ajo, jo vetëm që ia shkatërroi jetën, por edhe besimin në Zot, shkruan Mirror, transmeton Klankosova.tv.

“Fillimisht dyshoja në ekzistencën e Zotit, por pas kësaj ngjarjeje ai dyshim u kthye në zemërim”, ka rrëfyer Dunkle.

Pas vdekjes së të birit, ajo përjetoi një sërë fatkeqësish, falimentoi, humbi të atin dhe përfundoi në varfëri ekstreme, madje edhe pa strehë.

Më vonë, pas një dëmtimi në makinë, ajo pësoi hemorragji të rëndë të brendshme dhe u dërgua me urgjencë në spital për ndërhyrje kirurgjikale. Pikërisht gjatë operacionit, ajo pretendon se u shpall klinikisht e vdekur për një periudhë të shkurtër.

Kat kujton se ndjeu sikur po kalonte nëpër një tunel të errët, ndërsa mund të shihte bashkëshortin e saj, Don, dhe djemtë e tjerë duke u lutur për të. Fillimisht, thotë se ndjeu një paqe të jashtëzakonshme, por më pas dëgjoi një zhurmë të frikshme, të cilën e përshkroi si një tren mallrash.

Sipas saj, fillimisht u tërhoq drejt Parajsës, por më pas u rrëzua drejt Ferrit. Në ato momente, ajo thotë se iu lut Zotit për falje.

“Vazhdoja t’i thosha se e dija që Ai ekzistonte dhe se besoja tek Ai. Rënia u ndal papritur dhe nisa të ngjitesha sërish”, ka treguar ajo.

Dunkle pretendon se dëgjoi një zë që i tha të kthente njerëzit drejt Zotit, përpara se të zgjohej sërish në trupin e saj.

Pas rikuperimit, ajo thotë se ëndrrat e përsëritura e frymëzuan të krijonte një biznes konsulence, ndërsa beson se mesazhi që mori gjatë përvojës pranë vdekjes ishte arsyeja pse arriti të bëhej multimilionere.

Edhe sot, dekada më vonë, ajo vazhdon të ndajë historinë e saj dhe mesazhin që pretendon se mori gjatë asaj eksperience.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu