Qytetarët e Mianmarit kanë marrë guxim dhe po ngrihen masivisht kundër ushtrisë që mori me forcë pushtetin javën e kaluar.
E enjtja ishte dita e gjashtë radhazi që qytetarë dhe punonjës të administratës zbritën rrugëve për të demonstruar ndaj udhëheqjes së re.
Protestuesit apeluan policinë dhe ushtarët të mos i binden atyre.
“Duhet të zgjedhim mosbindjen civile për t’i dhënë fund regjimit, që të mos na sundojnë dot më.”
Lëvizjeve qytetare iu bashkuan në mënyrë të veçantë edhe qindra të rinj në qytetin Jangon.
Vëmendjen e banorëve e tërhoqën djemtë e rinj të veshur me funde dhe rroba grash, për të sjellë në vëmendjen ndërkombëtare kauzën e tyre.
“Nuk është fushatë normale as për kulturën tonë por na duhet vëmendje e vendeve të tjera për t’i dalë kundër regjimit tonë.”
Me mijëra kanë protestuar prej ditësh duke kërkuar rikthimin e kryeqeveritares, Aun San Su Çi dhe figurave të tjera politike që u arrestuan nga ushtria me arsyen se manipuluan zgjedhjet e fundit parlamentare.
Protestat me raste është tentuar të shuhen me anë të forcës dhe të paktën një protestuese po lufton për jetën.
Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë thirrje ushtrisë të lirojë pushtetin ndërsa presidenti amerikan, Xho Bajden, njoftoi masa ndëshkimore për komandantët që kanë në dorë drejtimin e shtetit.
“I bëj thirrje ushtrisë birmane, të lirojë menjëherë liderët politikë dhe aktivistët që po mbajnë tani nën arrest, kryeqeveritaren dhe presidentin. Ushtria duhet të tregojë se e respekton vullnetin e popullit,” tha Bajden.









