Familja Jashari në Prekaz e dinte rrezikun që po e priste para 20 vjetëve. Dëshmitarja e dorës së parë, Ajnishahe Halimi në një intervistë ekskluzive për Rubikon të KTV-së ka thënë se ata ishin të vetëdijshëm se çka po ndodhte.
Ajo thotë se njerëzit ua kishin tërhequr vërejtjen se përse po lëvizin dhe përse nuk po i dërgojnë fëmijët dikur tjetër.
“Ju e keni pa Hamza që thotë se ‘kemi lind dhe do të vdesim këtu, përtej shtëpive tona nuk kem ku me shku. Të gjithë kanë qenë të bindur’”, ka thënë ajo.
Ajo thotë se padyshim që i donin fëmijët e tyre mirëpo e kanë ndier obligim e detyrim për vetëflijim.
“Përndryshe nuk do të bëhet një kthesë historike ndryshe siç është bërë kjo kthesë historike me vetëflijimin e tyre”, ka thënë Halimi.
“Edhe gratë kur kemi bisedu, mosha e djemve ka qenë e madhe asnjëherë s’kanë biseduar se si do të martohen këta djem dhe do të bëjnë dasma por si do të mbrohemi dhe si do luftojmë për lirinë e Kosovës”.









