Aktivisti i Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane, Nazim Halimi ka vizituar kryetarin e LR-PDSH, Ziadin Sela në Spitalin e Tetovës, i cili po trajtohet pas lëndimeve që pësoi në natën e tmerrshme të 27 prillit, ku u rrah brutalisht nga një grup i organizuar që sipas kësaj partie u quajt terrorist.
Halimi theksoi për INA se gjithë shqiptarët në Amerikë janë të shqetësuar dhe e kanë përjetuar rëndë këtë akt, dhe i shprehin përkrahje të madhe deputetit Sela.
“Ne u shqetësuam shumë nga ajo që i ndodhi deputetit Sela. E kemi përjetuar rëndë aktin terrorist që kishte për qëllim vrasjen e tij. Ne jemi shumë të lumtur që ky bir i yni është gjallë dhe e tejkaloi këtë tragjedi, dhe se tani është shëndosh e mirë, dhe po shkon drejt shërimit të plotë. Me këtë vizitë i solla edhe porositë dhe përshëndetjet nga shumë aktivistë dhe bashkëkombas tanë në Amerikë, por edhe përshëndetjet nga LQSHA e Joe DioGuardit, SHSHA të Mamut Skenderit e Skender Karaçicës. Sela do të jetë edhe më i fortë dhe rrugëtimi i tij do të jetë i përkrahur fuqimisht deri në arritjen e synimeve dhe të drejtës që i takon shqiptarëve në trojet tona”, theksoi Nazim Halimi, i cili theksoi se ky rast brutal dhe terrorist për linçimin e deputetit Sela do të alarmohet edhe në qarqe të administratës amerikane, sidomos në Kongres.
Aktivisti Halimi ka takuar edhe personalitete të tjera si profesorin dhe kryetarin e Unioniot të Inteligjencies Shqiptare, prof.dr. Avzi Mustafa, botuesin e “Vatra” dhe publicistin Halil Zendeli, politikanin e njohur Hysni Shaqiri dhe personalitete tjera publike./ina