Administrata publike hap dyert për të gjithë kandidatë nga jashtë shërbimit civil. Vendimi vjen disa ditë pasi kryeministri Edi Rama premtoi vende pune në administratë për studentët me mesatare mbi 9.
Nëse deri më tani, në shumicën e vendeve të lira në administratë alternoheshin po ata punonjës që ishin brenda sistemit, një vendim i fundit i qeverisë, hap rrugën për t’u bërë pjesë e administratës çdo kandidat jashtë saj, që plotëson disa kritere të parashikuara në ligje dhe vendime, sipas profilit të punës.
Bëhet fjalë vendimin e qeverisë nr. 746, datë 19.12.2018, i cili ndryshon vendimin nr. 243, datë 18.3.2015, për pranimin, lëvizjen paralele, periudhën e provës dhe emërimin në kategorinë ekzekutive. Vendimi ndryshon pikën 10 të kapitullit dy të vendimit në fuqi, për procedurat e pranimit në administratë. Pika 10 e ndryshuar përcakton që shpallja e procedurës për pranimin në administratë është e hapur për të gjithë kandidatët nga jashtë shërbimit civil.
Në praktikën e deritanishme, një vend vakant ishte fillimisht i hapur vetëm për punonjës të administratës dhe vetëm nëse ky proces dilte i pasuksesshëm, kishin mundësi të merrnin pjesë kandidatë jashtë sistemit. Krahas heqjes së kësaj barriere, vendimi i fundit i qeverisë, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare duke hyrë në fuqi, parashikon edhe ndryshimin e nivelit të pikëve të mundshme për kandidatët për të kaluar në një fazë tjetër të testimit. Konkretisht, në vendim thuhet se nëse kandidati grumbullon më shumë se gjysmën e pikëve (mbi 30 pikë) nga vlerësimi me shkrim, ai kualifikohet për të kaluar në procesin e vlerësimit të jetëshkrimit. Vlerësimi me shkrim është deri në 60 pikë.
Gjithashtu, nëse kandidati grumbullon mbi 45 (dyzet e pesë) pikë nga vlerësimi me shkrim dhe vlerësimi i jetëshkrimit së bashku, ai kualifikohet për intervistën e strukturuar me gojë. Jetëshkrimi vlerësohet deri në 15 pikë. Vendimi i fundit parashikon gjithashtu se nëse kandidatët që nuk paraqiten për të zgjedhur pozicionin e punës, sipas ftesës së bërë nga njësia përgjegjëse, pa shkaqe të arsyeshme, humbasin të drejtën e zgjedhjes nga lista e pozicioneve për të cilën janë ftuar të zgjedhin dhe të drejtën e qëndrimit në listën fituese.










