Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ishte i sigurt që Federica Mogherini, ish-Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, ishte përfshirë në plane dekonstruktive për ndarjen e Kosovës, prandaj një “luftë” kishte filluar mes tij e saj. Haradinaj akuzonte Mogherinin se për interesa të veta karrieriste synonte zgjidhje në dëm të Kosovës dhe koha i dëshmoi si të qëndrueshme deklaratat e tij.
Me t’u bërë kryeministër i Kosovës në vitin 2018, Kryeministri Haradinaj u qas në temën e dialogut me Serbinë dhe për shkak të qëndrimeve të tij të palëkundura që Kosova të trajtohet barabartë në Bruksel, aty lindën përplasjet e forta me ish-ndërmjetësuesen e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Federica Mogherini.
Haradinaj ishte i bindur se Mogherini ishte e padrejtë dhe e pasinqertë në rolin e ndërmjetësueses së BE-së, prandaj ai nisi të kërkojë me ngulm tërheqjen e Mogherinit nga ky pozicion dhe zëvendësimin e saj më një tjetër zyrtar. Por jo vetëm kaq, ai kërkonte edhe përfshirjen e SHBA-së me rol primar në bisedimet Kosovë-Serbi, gjë që edhe ndodhi disa muaj më pas.
Në dhjetor të vitit 2018 gjithçka u bë e qartë. Si pasojë e përplasjeve të forta, në Bruksel u anulua konferenca e përbashkët për media mes Haradinajt dhe Mogherinit. Krejt kjo si pasojë e kritikave të ashpra që Haradinaj i kishte adresuar drejt Mogherinit dhe BE-së për çështjen e vizave dhe të taksës ndaj Serbisë.
Haradinaj e kishte akuzuar BE-në për neglizhencë dhe mungesë të qartë të perspektivës evropiane të vendit. Megjithatë, Haradinaj shprehej se “Kosova mbetet e vendosur për anëtarësimin në bllokun evropian, të cilin e konsideron në vazhdimësi një prioritet të saj”.
Serbia dhe BE kërkonin në mënyrë të përsëritur tërheqjen e taksës dhe Haradinaj në këtë luftë pothuajse kishte mbetur i vetmuar, ngase presionit të jashtëm i ishin bashkuar edhe ish-presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri shqiptar Edi Rama.
“Rama e Thaçi më lanë vetëm”, kishte thënë Haradinaj në një intervistë për një media shqiptare.
Mirëpo, taksa për bindjen e Haradinajt ishte i vetmi mekanizëm për ta ndalur ndarjen territoriale të Kosovës, një plan që tashmë ekzistonte dhe flitej hapur për të edhe në media, por edhe nga zyrtarë të lartë të shtetit.
“Nëse unë refuzoj me ua lëkund eshtrat njerëzve në vendvarreza, duhet me më respektue atëherë, sepse unë e kam një zor që nuk po e heqi taksën”, vazhdonte ai.
Pas një lufte të ashpër diplomatike, Mogherinit iu hoq nga përgjegjësia procesi i bisedimeve Kosovë-Serbi. Haradinaj kishte apeluar te dy kokat kryesore të BE-së se Mogherini e ka humbur rrugën. Merkel dhe Macron duket se kishin dëgjuar më në fund “bërtimat” e Haradinajt.
“Jam shumë i kënaqur që i është heqë procesi, pra dialogu zonjës Mogherini, pra që i janë marrë këto kompetenca kaq serioze. Është mirë që ka ndodh. Ka dyshime të bazume se është folë për ndarje të Kosovës, si formë e kompensimit politik e territorial të Serbisë për njohje”, kishte thënë Haradinaj në një intervistë.
“Kjo do të ishte një përulësi e papame. Do të ishim të përulur përjetësisht, çdo brez i yni, në çdo marrëveshjeje paqeje ka humbë territor. Pse me vazhdu më tutje praktika e njëjtë? Pse s’duhet me u ndalë njëherë, pse ne gjithë duhet me qenë të përulur?”, kishte konkluduar ish-kryeministri.









