Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk duhet të nervozohet me refuzimin që po bëhet nga vendi ynë për Mini-Shegenin, duke thënë tutje se kosovarët ‘nuk hanë bari’.
Në një interviste për Kosova Press, Haradinaj ka thënë se nuk mund të heshtë për ‘ndarjen e Kosovës’.
“Po ai po bëhet nervoz, ai duhet ta kuptojë që bari nuk hamë në Kosovë, ne me këto tema jetojmë gjithë kohën, ne nuk kemi qare pa i nxjerr në dritë këto probleme, nuk mundemi me i hesht. Imagjinoni unë me hesht presionin për ndarje të Kosovës ose presionin që me i bë Kosovës lojëra të ndryshme që me kyç në ndonjë proces ku Kosova nuk vjen në sistem realisht, në mënyrë që Kosova me heq taksën dhe Serbia të përfitojë prej tregut tonë pa asnjë efekt pozitiv për Kosovën, kjo është e pakuptimtë”, thotë Haradinaj.
Haradinaj thotë se nuk dëshiron të prishë gjuhën e komunikimit, ndërkohë deklaron se shqiptarët kudo janë vëllezër.
Ai tutje ka thënë se mund të bëhet “minishengen” Kosovë-Shqipëri bilateral, por jo një i tillë duke përfshirë Serbinë.