Haradinaj jep një mesazh nga Franca: Gjendja është e rëndë, ja çfarë do më ndodhë më 27 prill

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, beson se vetëm zgjedhjet e reja mund ta korrigjojnë gjendjen aktuale në vend.

Ai ka vlerësuar se gjendja ekzistuese çdo ditë e më shumë po bëhet më e rëndë. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se shkuarja në zgjedhje të parakohshme është pjekuri politike.

“Mbajtja e gjendjes ekzistuese po bëhet e rëndë dhe e vështirë për institucionet dhe për vendin, sidomos për qytetarin. Duhet t’ia kthejmë vendimin qytetarit, pra sovranit. Në këtë situatë kjo është legjitime dhe shprehje e një pjekurie politike, e një vetëdije të lartë. Nuk bën të testohet deri në pafundësi një gjendje e tillë. Mënyra më e mirë për t’u riparuar kjo gjendje që e ka rënduar Kosovën është për t’ia kthyer vendimin sovranit. Kjo besoj se do të ishte e mirë për gjithë spektrin politik dhe për qytetarët”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj, i cili po mbahet padrejtësisht në Francë që disa muaj, në bazë të një fletarrestimi serb, është shprehur i bindur se Gjykata e Colmarit më 27 prill do ta refuzojë kërkesën e Serbisë për ekstradim dhe do ta lirojë atë.

Ai ka thënë se kërkesa e palës serbe është e padrejtë dhe e motivuar politikisht. “Kjo kërkesë është thjesht përndjekje ndaj meje dhe nuk ka të bëjë asgjë me ligj”, ka thënë Haradinaj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu