Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, qeverisjen dyvjeçare të tij e ka quajtur sfiduese dhe me shumë vështirësi e pengesa, por edhe shumë të arritura duke thënë se ka ndaluar ndarjen e Kosovës, ka forcuar ekonominë dhe ka kthyer ligjshmërinë.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Haradinaj tha se për dy vjet qeverisje të tij, ka arritur të kthej dialogun nga dora e Mogherinit në atë të kancelares Merkel dhe presidentit Trump, duke shtuar se arriti të ndalë edhe ndarjen e Kosovës
‘Është një qeverisje e sfiduar sepse ne po ashtu arritëm me e heq dialogun nga tavolina e Mogherinit ku ishte një dialog i ndarjes me kalua te tavolina e kancelares Merkel dhe te Presidenti Trump e Macron. Pra e bëmë një ndryshim të madh përmbajtjesor e kundërshtuam dhe e penguam ndarjen dhe këto janë disa momente kyçe të qeverisë sonë e cila qeverisje vërtet kur i shtojmë edhe krejt pakon ligjore prej kodit penal dhe gjitha ligjet tjera për konfiskim të pasurisë dhe konflikt interesi dhe plot ligje që janë me të vërtetë me rëndësi për vetë zbatimin e ligjit në Kosovës dhe ka qenë një periudhë dinamike’, thotë ai.
Ndërkaq edhe pse e pranon se liberalizimi i vizave u vonua, ai beson në një vendim për këtë çështjeje.
‘Ngjarja e parë me rëndësi ka qenë kthimi i prodhimit në energji e pastaj beteja për pavarësim energjetik e cila nuk zgjati shumë, por në fund kemi realizua pavarësimin energjetik si Kosovë dhe tash është faza implementuese. Deri në muajin prill të vitit që vjen veç finalizohet dhe është me rëndësi që kemi vendosur një rregull në sektorin publik në bazë ligjore, për administratën, për ligjin për pagat’.
Ai thotë se gjatë kësaj periudhe ndërmorën edhe masa të shumta fiskale të cilat lehtësuan prodhuesit vendës e që ndikuan edhe në rritjen e ekonomisë.
‘Po ashtu ishte edhe ligji për implementimin e ligjit për Trepçën ligji për Trepçën ishte votua në parlament po nuk zbatohet për shkak të vështirësive e pengesave që u hasshin kuptohet pse. Tani Trepça dhe çdo pasuri tjetër e Kosovës është vetëm e Kosovës dhe nuk ka palë të dytë apo të tretë që pretendon që ka hise në resurset tona dhe kjo është tepër me rëndësi edhe për investitorët e ardhshëm dhe është zgjidhur krejtësisht çështja e pasurive të Kosovës. Kemi të bëjmë këtu me përkrahjen që u kemi bërë prodhuesve dhe heqjen e tatimit për lëndën e parë dhe për pajisjet por edhe taksa e ka pas një efekt në ekonominë tonë dhe një efekt të jashtëzakonshme’, thotë Haradinaj.
Qeveria Haradinaj u votua më 9 shtator të vitit 2017, ndërsa për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale, Haradinaj më 19 korrik 2019 dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit.










