Haxhiu humb “betejën” me opozitën

Deputetët e partive opozitare kanë paralajmëruar se nuk do të qëndrojnë në sallë nëse nuk ka marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit. Një qëndrim të tillë opozita e kishte demonstruar edhe në seancën e 5 marsit, në të cilën LVV-ja kërkonte të votoheshin dy kandidatët e saj për president, Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku. Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu pretendonte se deputetët kishin bërë shkelje kushtetuese me bojkotimin e seancës, por pretendimet e saj janë hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese.

Në vendimin e së hënës mbrëma Kushtetuesja konsideron se “nuk ka çështje për shqyrtim, ngase kjo tashmë është sqaruar qartë edhe përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës”, përmes dy rasteve në të kaluarën.

“Në lidhje me mandatin dhe ushtrimin e funksionit të deputetit, Gjykata rikujton se Kushtetuta, në nenin 70 [Mandati i Deputetëve], përcakton që deputetët, si përfaqësues të zgjedhur të popullit, nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues, si dhe ka përcaktuar në mënyrë specifike bazat për përfundimin apo humbjen e statusit të deputetit.”

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, e quan të gabuar kërkesën e kryeparlamentares Haxhiu në Gjykatën Kushtetuese. Sipas tij, Haxhiu i kishte të njohura dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese: atë të vitit 2016 në rastin e zgjedhjes së presidentit Hashim Thaçi dhe atë të vitit 2026 në rastin e dekretit të presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

“Ne, si IKD, kemi theksuar se nuk ishte e nevojshme që një kërkesë e tillë të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese, sepse me aktgjykimet e mëparshme është konfirmuar se deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk mund të detyrohen të marrin pjesë në seancë dhe të votojnë pro, kundër apo të abstenojnë, veçanërisht në rastin e zgjedhjes së presidentit dhe të votimit të Qeverisë së Kosovës. Një kërkesë e tillë, e prezantuar në ditën kur u propozuan dy kandidatët për president, nuk ka qenë e drejtë, sepse deputetët nuk mund të detyrohen të votojnë për një kandidat të caktuar. Kërkesa nuk do të duhej të bëhej as në seancë dhe as në Gjykatën Kushtetuese.”, tha Jakaj për rtv21.

Përfaqësuesi i zyrës ligjore në Institutin Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, vlerësoi se kërkesa e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, në Gjykatën Kushtetuese ishte më shumë një betejë politike sesa një kërkesë për qartësi procedurale nëse deputetët duhet të qëndrojnë në sallë gjatë votimit të presidentit. Bugaqku tha se vendimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese e kanë qartësuar se nuk ka mekanizma që i detyrojnë deputetët të qëndrojnë në sallë.

“Më shumë është përdorur si mekanizëm kërkesa në Gjykatën Kushtetuese për të hapur një betejë politike sesa për të siguruar qartësi procedurale sa i përket vijimësisë së seancës për zgjedhjen e presidentit. Kjo për faktin se ata e kanë ditur shumë mirë se, si në aspektin procedural ashtu edhe në atë kushtetues, nuk ka mekanizma që i detyrojnë deputetët të qëndrojnë në sallë. Kushtetuta e Kosovës, siç e ka theksuar edhe vetë Gjykata Kushtetuese, mandatin e deputetit e përkufizon si mandat të lirë dhe jo detyrues, në kuptimin e ‘penalizimit’ të deputetit që duhet patjetër të qëndrojë në sallë. Në rast të mosqëndrimit, nuk ekziston një mekanizëm që i detyron ata të marrin pjesë në seancat e Kuvendit. Edhe vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, i ndërlidhur me dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, e ka qartësuar mjaftueshëm se Kushtetuta nuk i detyron deputetët të qëndrojnë në sallë.”, tha Bugaqku.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qartësuar se zgjedhja e presidentit mbetet çështje e vullnetit politik dhe kërkon një marrëveshje politike. Në IKD dhe KDI thonë se i takon partisë fituese të zgjedhjeve të bëjë përpjekje për t’i siguruar 80 vota për presidentin.

“Nevojitet një marrëveshje politike për ta zgjedhur presidentin. Për këtë marrëveshje politike përgjegjësia i bie partisë së parë, LVV-së.”, tha Naim Jakaj nga IKD.

“Duhet të gjejnë vullnet për të arritur marrëveshje dhe për t’i përmbushur procedurat kushtetuese për çështjen e presidentit.”, tha Vullnet Bugaqku nga KDI

Gjykata Kushtetuese, më 25 mars, vendosi një afat prej 34 ditësh që deputetët e Kuvendit duhet ta zgjedhin presidentin e ri, në të kundërtën vendi shkon automatikisht në zgjedhje./RTV21


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu