Haxhiu thotë se vendimi i Kushtetueses detyron mërgatën të vijë fizikisht për të votuar

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se vendimi i sotëm e Gjykatës Kushtetuese, që ka vlerësuar se Gjykata Supreme kishte bërë shkelje kur lejoi numërimin e votave nga jashtë pas afatit të caktuar, nënkupton se në zgjedhjet e ardhshme mërgata duhet të vijë në Kosovë për të votuar.

Ajo ka thënë se është e dhimbshme të shohësh përmbysje të të drejtave kushtetuese nga institucioni që duhet t’i mbrojë ato.

“Mërgata jonë për shkak të këtyre veprimeve të qëllimshme, në zgjedhjet e ardhshme, duhet të vijnë fizikisht ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, me veturë, autobus apo aeroplan. Deputetët e grupeve tjera parlamentare, mërgatës tonë nuk ua lehtësojnë procedurat e votimit jashtë vendit dhe tani sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, votat me postë të mërgatës nuk numërohen nëse ato mbërrijnë pas afatit, pavarësisht nëse ato i dorëzojnë me kohë zarfet. Nëse në KQZ mbërrijnë me vonesë, pavarësisht që kjo shpesh bëhet qëllimshëm, sipas Gjykatës Kushtetuese, ato vota s’do të numërohen! Sipas Gjykatës Kushtetuese, një procedurë ligjore është mbi të drejtën kushtetuese të votës! Është e dhimbshme kur sheh përmbysje të të drejtave kushtetuese nga institucioni që duhet t’i mbrojë ato!” – ka shkruar anëtarja e Lëvizjeve Vetëvendosje, Haxhiu, në Facebook.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu