Heronjtë shqiptarë të Londrës, të angazhuar maksimalisht për të mbrojtur qytetarët nga sulmet

Restoranti “Borough Market”, aty ku ndodhi njëri prej sulmeve terroriste në Londër, ishte përplot me klientë kur terroristët u futën dhe sulmuan njerëzit brenda.

Pronari, Mark Stembridge, ka rrëfyer momentet kur stafi i tij u bë bashkë për t’i ndihmuar 130 konsumatorët që ishin brenda, përcjell KohaVisioni.

E, në mesin e stafit të “Borough Market” ishin edhe tre shqiptarë. Ata ishin ish-ushtarë nga Kosova dhe sipas Stembridget, ata bënë gjithçka për të siguruar mysafirët.

“Tre prej stafit tim janë ish-ushtarë nga Kosova, dhe mund të them se ata ndikuan që situata të mos përkeqësohet”, tha pronari.

Stembridge i tha stafit të tij të tërheqin klientët nga ballkoni i hapur, pasi panë tre persona të armatosur që vinin drejt ndërtesës.

“Nuk mund t’ju them se çfarë thanë terroristët kur hynë në restorant, por ata hezituan kur panë se ne ishim të organizuar”, shtoi ai.

Stembridge bëri thirrje që t’u ofrohen trajnime të veçanta pronarëve dhe stafit të restoranteve në Londër, me qëllim që të jenë të gatshëm të përballen me situata të tilla.

Sulmi terrorist i së shtunës në Londër la të vdekur 7 persona dhe 48 të lënduar.

KohaVisioni është përpjekur të bisedojë me njërin nga këta 3 kosovarë, por ai nuk ka pranuar të identifikohet për çështje sigurie.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu