Heshtje misterioze, ç’po ndodh me Demarkacionin?

Kemi një thënie interesante nga populli, të paktën kështu ka ngelur se me siguri do të ketë dalë nga politikanët dhe e cila është : ” Çudia më e madhe tre ditë zgjat”.

E fatkeqësisht pothuajse të gjitha temat e rëndësishme kështu po trajtohen edhe në ditët e sotme. Para miratimit të demarkacionit, ky term ishte më i përdoruri dhe temë kryesore në Kosovë por pas miratimit u harrua.

Ç’po ndodh tashmë me demarkacionin, pasi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj premtoi se kufiri do të rikthehej në Kullë e Cakorr? Apo ishte thjesht një premtim sa për t’i harruar popullit se ishte pikërisht ai që i bindi se demarkacioni është gabim.

Gjithashtu asnjë lëvizje edhe nga ish-deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi i cili kishte fakte që kufiri nuk ishte në rregull. Atëherë le të veprojë e t’ja tregojë Malit të Zi këto fakte pasi ditët po rrjedhin njëra pas tjetrës dhe hekuri rrihet sa është i nxehtë, thotë populli.

Ende janë të freskëta premtimet e koalicionit se demarkacioni do të korigjohet ndërsa liberalizimi i vizave do të miratohet pasi të kalojë kjo marrëveshje në Kuvend. Dhe kërkesa e liderëve u plotësua por deri më sot as demarkacini nuk ka filluar të korigjohet dhe për liberalizim duhet të plotësohet edhe një kriter tjetër, shumë më i vështirë, luftimi i korrupsionit.

Sikur të mos mjaftonin këto, para pak ditësh edhe Gjykata Kushtetuese mori vendimin se kjo marrëveshje e firmosur nga Hashim Thaçi nuk është antikushtetuese, duke i dhënë e një argument më shumë Malit të Zi që ta mbrojë versionin e vitit 2015.

Por jo vetëm qeveria, edhe opozita ka heshtur pas miratimit të kësaj marrëveshje. Dikur “vinin gjoksin” për ta kundërshtuar sot nuk po e kërkojnë se kur do të fillojë korigjimi i saj.

E ndërsa presim që Mali i Zi ta pranojë ndryshimin e kufirit, disa deputetë të atij shteti kanë nisur një iniciativë në kuvend me mbështetjen e forcave nacionaliste serbe që të anullohet pavarësia e Kosovës.

Ndoshta është e vërtetë që çudia më e madhe tre ditë zgjat, por historia nuk harron. Nëse Haradinaj me të vërtetë ka pasur fakte se kufiri është gabim dhe nuk e korigjon atëherë do të gjykohet nga historianët e ardhshëm.

Kurse ne presim tashmë liberalizimin e vizave, pasi ende vazhdojmë të qëndrojmë para dyerëve të ambasadave./albeu


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu