Historia e një fermeri depresiv që ndërtoi një perandori

Kjo është një histori e mbushur me djersë, lot, falimentim, depresion, sukses, superjahte dhe pasuri të pamasë.
Heroi i saj është britaniku William Chase.

55-vjeçari ia ka shitur kompaninë e tij një gjigandi amerikan për plot 300 milionë sterlina.

Brenda pak vitesh ai ia ka dalë të ketë në pronësi një kështjellë, një shtëpi në Ibiza me vlerë 3 milionë sterlina, një superjaht dhe një flotë makinash, përfshi këtu një Bentley Continental, një Porsche Cayenne Turbo dhe një Rolls Royce Drophead.

Ndryshe nga shumë pasanikë, Chase thotë se ai beson se paratë të bëjnë të lumtur.

Por cila është historia e këtij fermeri?

Ai trashëgoi një fermë patatesh, por punët i ecën shumë keq derisa ai falimentoi.

Fermën ia blenë dhe ai kaloi në kolaps mendor.

Bota iu shemb, braktisi gruan dhe dy djemtë dhe u zhduk në Australi për tre muaj.

Ishte një periudhë reflektimi.

Kur u kthye në Angli, shiti makinën dhe nisi ngadalë të merrej me bujqësi.

Puna i dha fryte dhe shumë shpejt ai arriti ta riblejë fermën e tij të fëmijërisë.

Por ndërsa prodhimi i patateve ecte mirë, atij i doli një problem i madh.

Supermarketet nuk ia pranonin patatet pasi nuk ishin të bukura nga pamja e jashtme.

Atëherë ai vendosi ta marrë çështjen në dorë.

Vizitoi në SHBA një fabrikë patatinash dhe u kthye me një eksperiencë të mjaftueshme në këtë fushë.

Pasi mori një kredi në bankë, nisi të prodhojë patatina.

Ishin patatina të freskëta, pa asnjë ruajtës apo substancë shtesë.

“Ishin magjike që në fillim”, thotë ai.

Patatinat Tyrrell nisën të shiten me shpejtësi.

Formula ishte e thjeshtë: 1 sterlinë për një qese.

Brenda pak viteve, patatinat e tij kishin fituar kaq shumë çmime dhe ai ishte bërë pasanik.

Pavarësisht pasurisë, ai thotë se nuk ka pushuar kurrë.

Sërish zgjohet natën, duke kërkuar ‘idenë e re të madhe’.

Ndonjëherë e pranon se demonët depresivë e kanë bërë më të mirë.

“Ka ditë kur kyçem larg për të menaxhuar monstrën brenda meje,” thotë ai.

Së fundmi, në një leksion të hapur me studentë, ai tha se nuk do ishte kurrë i suksesshëm nëse nuk do hiqte dorë nga jeta, pushimet, nuk do rrezikonte çdo peni që kishte fituar, nuk do punonte 18 orë në ditë, shtatë ditë në javë, duke vuajtur kaq shumë ndonjë ditë, sa nuk merrte dot frymë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu