Kryeministri holandez Mark Rutte tha se kërkesa e politikanëve turq për të bërë fushatë në vendin e tij është “një situatë e padëshiruar”.
Rutte iu përgjigj pyetjeve pas takimit të kabinetit të premten dhe deklaroi se, ashtu si fushata përpara referendumit kushtetues në prill 2017, ata nuk duan të shohin në Holandë anëtarë të qeverisë turke për zgjedhjet e 24 qershorit. Ndërkohë, edhe kancelari i Austrisë, Sebastian Kurtz tha se nuk do të dëshironte të shihte në vendin e tij politikanë turq duke bërë fushatë.
“Udhëheqja turke e Erdoganit po përpiqet të shfrytëzojë komunitetet me origjinë turke në Evropë për shumë vite”, tha kancelari Kurz për radio ORF. “Shfaqjet e fushatës zgjedhore turke në Austri janë të padëshiruara dhe për këtë arsye nuk do t’i lejojmë më”, shtoi ai. Duke reaguar për këtë, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan paralajmëroi Austrinë. “Këto masa të marra nga Austria do të bien mbi ta”, tha Erdogan në një intervistë me stacionin NTV.