Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, gjatë një takimi në Han të Elezit ka thënë se qeveria e udhëhequr nga vetë ai ka arritur ta largojë ndikimin rus në Kosovë me marrëveshjen e Washingtonit të nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020. Ai tha si iu kanë dale zot thuaje secilës familje përmes pakove ekonomike si pasojë e pandemisë.
“Si shtet ne kemi specifika më ndryshe për shkak të kapaciteteve shëndetësore dhe si ekonomi, megjithatë dhe me krejt vështirësitë i kemi dalë zot thuajse secilës familje përmes pakove ekonomike, të cilat ishin më të mëdhatë në rajon”, tha ai.
“Sfidat e pandemisë s’kanë qenë të vetmet, kryesorja ishte mbrojtja e shtetit. Besoj që ia kemi dalë t’i vendosim partneritetet me miqtë ndërkombëtarë duke larguar ndikimin rus dhe të Lindjes në Kosovë dhe regjion. Ky ka qenë qëllimi i Marrëveshjes së Washingotonit. Këtë ka mundur të bëjë vetëm LDK-ja me burrat dhe gratë e saj. LDK e ka marrë vendin me bllokadë, me sanksione, të bllokuar në të gjitha proceset. Për gjashtë muaj e kemi kthyer në normalitet. Kush kish mund me bë këtë përveç LDK-së?”.
Kreu i ekzekutivit foli edhe për bizneset duke thënë se Hani i Elezit është një portë e rëndësishme për vendin tonë.









