Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se nëse nuk do të ketë zgjidhje mes partive politike për çështjen e presidentit, vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
Këtë deklaratë, Hoti e ka thënë në një takim virtual me me raportuesin për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Peter Beyer.
KALLXO.com sot ka raportuar se Qeveria e Kosovës ende nuk ka ndonjë datë konkrete se kur pritet të mbahet tryeza me partitë politike vendore për të diskutuar për çështjen e presidentit të ardhshëm.
Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se Hoti me Beyer bisedoi për gjendjen e pakicave, lirinë e medias dhe zhvillimet aktuale në vend, tema këto që do të jenë pjesë e raportit “Situata në Kosovë”.
“Kryeministri Hoti ngriti edhe çështjen e Presidentit, ku theksoi gatishmërinë e subjekteve politike për të arritur një zgjidhje, ndërkohë që nënvizoi se nëse nuk do të ketë zgjidhje për këtë çështje vendi duhet të shkojë në zgjedhje”, thuhet në komunikatë.Sipas ZKM-së, temë e pashmangshme ishte edhe situata aktuale në vend, “sfidat që ka shkaktuar pandemia Covid-19 dhe masat të cilat i ka marrë qeveria deri më tani për të menaxhuar sa më mirë situatën”.Në këtë takim u bisedua edhe për procesin e dialogut Kosovës-Serbi i cili aktualisht po zhvillohet në nivel të ekspertëve.“Me këtë rast Kryeministri Hoti theksoi se deklaratat kërcënuese nga zyrtarë të lartë të Serbisë nuk e ndihmojnë këtë proces”, vijon njoftimi.