Enver Hoxhaj ka njoftuar të enjten se s’do të jetë kandidat për t’u bërë kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Në një konferencë për media ai ka thënë se ky vendim “do të çojë në unitetin në PDK”.
Dy ditë para mbajtjes së konventës për të zgjedhur të parin e PDK-së, në garë është vetëm Memli Krasniqi.
Hoxhaj ka qenë ushtrues detyre i kryetarit të PDK-së që kur Kadri Veseli u largua vitin e shkuar pas ngritjes së aktakuzës nga Gjykata Speciale.
“PDK-ja ka nevojë të hapet, të modernizohet, të ndryshohet. Kjo duhet të ndodhë në aspektin organizativ. E shtuna shënon një hap të ri për PDK-në. Do ta mbështes lidershipin që del nga konventa e PDK-së, do të vazhdoj të jem pjesë e saj, kam pasur momentet më të mira dhe momentet më madhështore”, ka thënë ai.
“Tani është koha që PDK-ja të ristrukturohet, pozicionohet e të jetë PDK e re, të përballet me sfidat e një qeverisje populiste. Unë nuk jam kandidat për kryetar të PDK-së. Kjo s’është ikje nga gara, përgjegjësia. Vendimi im është më i miri që kam marrë. Do të bashkoj e të çojë në unitet në PDK.”
Hoxhaj ka thënë se ka shpresuar që gara do të jetë më e gjallë e me më shumë kandidatë.
Pak minuta para se të dilte në konferencën për media, Hoxhajt iu drejtua Ramiz Lladrovci i kësaj partie duke i kërkuar të mos garonte.









