Një grua rreth të 40-ave ka humbur jetën tragjikisht pasi është mbytur në Liqenin e Dibrës, në afërsi të plazhit të qytetit.
Sipas informacioneve të para, trupin e pajetë të gruas e kanë vërejtur dy persona, të cilët menjëherë e kanë nxjerrë nga uji dhe kanë tentuar ta reanimonin, por fatkeqësisht pa sukses.
Në vendngjarje ka mbërritur ekipi i Ndihmës së Shpejtë nga Spitali i Përgjithshëm Dibër, por mjekët vetëm kanë mundur të konstatojnë vdekjen e saj. Nga SPB Dibër bëjnë të ditur se në trup nuk janë vërejtur shenja dhune.
Në vendngjarje kanë dalë ekipet policore dhe prokurori kujdestar. Trupi i viktimës është dërguar për autopsi me qëllim përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes.
Ky është rasti i parë i mbytjes në Liqenin e Dibrës pas më shumë se një dekade.
Autoritetet lokale theksojnë se prej vitit 2017 në këtë zonë kanë funksionuar ekipe shpëtimi, por këtë verë, për arsye ende të paqarta, shërbimi i shpëtimit nuk është aktiv.