Ish-zyrtari i inteligjencës italiane Marco Mancini, duke cituar burime nga brenda Iranit dhe qarqe disidente të regjimit, pretendon se Udhëheqësi Suprem iranian, Ali Khamenei, ndodhet aktualisht në Teheran, në një rezidencë trekatëshe rreth 600 metra katrorë, por nën masa sigurie të pazakonta që reflektojnë frikën e tij nga përmbysja e regjimit.
Sipas Mancinit, Khamenei lëviz i shoqëruar nga një eskortë prej rreth 60 burrash, jo nga Garda Revolucionare iraniane, por nga militantë të Hezbollahut të ardhur nga Libani, një tregues i qartë i mungesës së besimit ndaj aparatit të tij tradicional të sigurisë. Ai përshkruan me detaje itinerarin e Ajatollahut në kryeqytet, duke theksuar se lëvizjet e tij janë të planifikuara me kujdes dhe të orientuara drejt një pozicioni që lehtëson një arratisje të mundshme. Mancini pohon se Khamenei ka thirrur gjithashtu mijëra luftëtarë shiitë të huaj, përfshirë afganë dhe irakianë të lidhur me milici pro-iraniane, për të shtypur protestat e brendshme, ndërsa paralelisht po negocion, sipas tij, një plan largimi në Rusi me ndihmën e inteligjencës ushtarake ruse, GRU.
Ai shton se familja e Khameneit dhe pasuri të mëdha financiare po përgatiten për transferim jashtë vendit, duke e krahasuar situatën me arratisjen e Bashar al-Assadit nga Siria. “Fakti që ai mbështetet te Hezbollahu për mbrojtje tregon qartë se ka frikë dhe se regjimi është në fazën më të brishtë të ekzistencës së tij”, citon Mancini, duke e paraqitur situatën si një moment kritik për të ardhmen politike të Iranit.










