Interi ka arritur një pikë historike në menaxhimin financiar, duke mbyllur sezonin 2024/25 me fitimin e parë neto pas 15 vjetësh, prej 35.4 milionë eurosh, në krahasim me humbjen prej 35.7 milionë eurosh të regjistruar në sezonin e mëparshëm.
Në të njëjtën kohë, Nerazzurrët regjistruan të ardhura rekord prej 567 milionë eurosh, shifra më e lartë e raportuar ndonjëherë nga një klub i Serie A.
Sipas deklaratës zyrtare të klubit, kjo rritje u ndihmua nga performanca në garat vendase dhe ato evropiane, si dhe pjesëmarrja historike në edicionin e parë të Kupës së Botës për Klube FIFA.
Përveç kësaj, zgjerimi në zonat komerciale dhe rritja e të ardhurave nga sponsorizimet kontribuuan ndjeshëm në këto shifra rekord, duke forcuar stabilitetin ekonomik të klubit.
Shlyerja e borxheve dhe investimet e reja
Si pjesë e ristrukturimit financiar, Interi i shlyeu plotësisht obligacionet ekzistuese dhe siguroi një kredi afatgjatë prej 350 milionë eurosh me vlerësim të gradës së investimit, duke ulur kostot e kapitalit.
Pronarët e klubit, Oaktree, miratuan gjithashtu një investim prej 100 milionë eurosh në infrastrukturë, duke përfshirë përmirësime në qendrat e trajnimit, dhe nënshkruan partneritete globale me Fanatics dhe kompaninë e automjeteve elektrike BYD.
Klubi e përshkroi këtë rezultat si “një demonstrim i disiplinës financiare”, i cili i mundëson skuadrës së trajnerit Christian Chivu të forcohet në fushë, ndërkohë që siguron stabilitet afatgjatë jashtë saj. /Telegrafi/