Intervistë me Donika Bakiun: Studimi i parë në vend për rëndësinë e leximit në epokën e teknologjisë

Intervista me Donika Bakiu

1. Si ndiheni që jeni autore e studimit të parë të këtij lloji në vendin tonë?

Donika: Ndihem jashtëzakonisht e lumtur dhe krenare që jam autorja e këtij studimi të parë në vend. Është një arritje edhe më e veçantë sepse për herë të parë në vend janë përfshirë në një hulumtim të tillë bibliotekat e qyeteteve nga: Kumanova, Shkupi, Tetova, Gostivari, Kërçova, Dibra dhe Struga. Dua të falënderoj të gjithë bibliotekistët dhe drejtorët e bibliotekave që ishin pjesë e këtij hulumtimi të parë në vendin tonë.Mbështetja, përkushtimi dhe bashkëpunimi i tyre i palodhshëm ishin shtylla kryesore që ky hulumtim të dilte në dritë.Ju jam thellësisht mirënjohëse për gatishmërinë, profesionalizmin dhe dashurinë që treguan për librin dhe lexuesin.Ky sukses është edhe suksesi i tyre!

2. Çfarë ju shtyu të merreni me këtë temë kaq të rëndësishme si leximi në kohën e teknologjisë?

Donika: Doja të sillja fakte dhe ide konkrete për të treguar se libri mbetet një burim i pazëvendësueshëm i dijes.

3. Çfarë sfidash hasët gjatë përgatitjes dhe realizimit të këtij studimi?

Donika: Ishte sfiduese të koordinoheshim me biblioteka në qytete të ndryshme dhe të mbledhnim të dhëna të sakta. Një sfidë tjetër ishte edhe mungesa e studimeve paraprake të ngjashme në vend, që do të më ndihmonin si referencë.

4. Pse menduat që ishte e rëndësishme ta botoni këtë studim në të dyja gjuhët, maqedonisht dhe shqip?

Donika: Sepse besoj fuqishëm se leximi është një vlerë universale. Duke e botuar në maqedonisht dhe shqip, e bëra këtë studim të qasshëm për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie apo gjuhe.

5. Cili ka qenë reagimi i parë që keni marrë nga lexuesit dhe komuniteti akademik?

Donika: Reagimet kanë qenë shumë inkurajuese. Lexuesit dhe komuniteti akademik e kanë mirëpritur këtë iniciativë si një hap të domosdoshëm për të forcuar kulturën e leximit në vend.

6. Si e shihni ndikimin që ky studim mund të ketë në shoqëri, veçanërisht tek të rinjtë?

Donika: Besoj se ky studim do të shërbejë si një thirrje për veprim – për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e leximit dhe për të promovuar më shumë projekte dhe politika në këtë drejtim.

7. Çfarë mesazhi do të donit t’u përcillnit lexuesve në lidhje me rëndësinë e leximit, sidomos në këtë epokë të digjitalizuar?

Donika: Mos ta lëmë që teknologjia ta zëvendësojë librin. Leximi është një pasuri që na pasuron shpirtërisht dhe intelektualisht, gjë që asnjë ekran nuk mund ta zëvendësojë.

8. A keni plane për të vazhduar me studime të tjera në këtë fushë apo për të zgjeruar këtë projekt?

Donika: Patjetër. Dua të zgjeroj bashkëpunimin me më shumë biblioteka dhe institucione arsimore dhe të realizoj edhe projekte që lidhen me inkurajimin e leximit në mënyrë kreative.

9. Çfarë do të donit të ndryshonit ose të përmirësonit në të ardhmen në lidhje me promovimin e leximit në vendin tonë?

Donika: Do të doja që leximi të integrohej më shumë në jetën e përditshme përmes aktiviteteve si maratonat e leximit, klubet e librave, programe leximi në bibliotekat e qyteteve dhe ato digjitale.

10. Nëse do t’ju duhej ta përshkruanit këtë përvojë me një fjali, cila do të ishte ajo?

Donika: Një rrugëtim sfidues, por jashtëzakonisht i vlefshëm që dëshmon se dashuria për librin është ende gjallë në shoqërinë tonë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu