Intervistoi e para zëdhënësin e Talibanëve, kush është gazetarja afgane që është strehuar në Shqipëri me porosi të veçantë?

Behishta Arghand ditën kur ra Kabuli u bë e para gazetare femër të intervistonte në studio njërin prej përfaqësuesve të Talibanëve.

Kjo intervistë e prezantueses së Tolo TV, u kthye në lajm në të gjithë mediat botërore, pasi asnjëherë Talibanët nuk pranonin të intervistoheshin nga një femër.

Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu që po ndjek në mënyrë intensive ardhjen e qytetarëve afgan në vendin tonë, ka mësuar se Behishta Arghand ka mbërritur në Shqipëri pasditen e kësaj të premteje.

Një fondacion i fuqishëm me shumë reputacion në SHBA i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama strehimin e saj në Shqipëri.

Burimet i thanë Top Channel se ardhja e gazetares afgane është koordinuar nën kujdesin personal të kryeministrit Edi Rama, ministres së punëve të jashtme Olta Xhaçka dhe bashkëpunëtorëve në Shqipëri të fondacionit amerikan.

Deri në momentin e procesimit të vizës amerikane gazetarja Arghard do të qëndrojë në Tiranë.

Gazetarja Behishta Arghand mundi të dalë nga Afganistani dhe të qëndroj disa ditë në Katar, e më pas të udhëtojë drejt Tiranës.

Në një intervistë për mediat gjermane nga Katari ajo tha e u largua për motive sigurie.

“Më pak se 100 gra e vajza nga 700 gazetare femra në Afganistan vijojnë të punojnë në media por dalë ngadalë çdo ditë po zhduken nga ekranet e televizioneve”, deklaroi Arghard.

Ndërsa për intervistën e parë të një gazetare femër me një zëdhënës të Talebanëve, Behishta Arghand 22 vjeçe tha:

“Po dridhesha gjatë intervistës por doja t’i tregoja botës se gratë afgane nuk duan të kthehen pas ato duan të ecin përpara”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu