Sirenat e alarmit u dëgjuan sot në Tel Aviv, pasi Iran lëshoi raketa drejt Izraelit. Në qiell u panë gjurmë nga asgjësimi i raketave në ajër, ndërsa u dëgjuan edhe shpërthime. Televizioni shtetëror iranian raportoi se Irani ka “lëshuar masivisht” raketa balistike drejt Izraelit. Sipas Teheranit, sulmi përbën valën e 22-të të operacionit të quajtur “Premtimi i Vërtetë 4”.
Ushtria izraelite thotë se luftimet kanë shkatërruar shumicën e sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe lëshuesve të raketave të Iranit. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, paralajmëroi se sulmet kundër Tehran mund të “rriten në mënyrë dramatike”.
Ndërkohë, zyra e kryeministrit izraelit publikoi pamje nga një takim sigurie i mbajtur mbrëmë nga Benjamin Netanyahu me zyrtarë të lartë, përfshirë David Zini, kreun e agjencisë së sigurisë së Izraelit, dhe disa ministra.










