Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif tha se pret që Japonia dhe Bashkimi Evropian (BE) të bindin presidentin amerikan Joe Biden kundër sanksioneve të SHBA-së ndaj Iranit. Në një intervistë për agjencinë japoneze Kyodo, ministri Zarif foli për sanksionet e SHBA-së kundër Iranit, ndërmjetësimin e mundshëm të Japonisë dhe pasuritë iraniane në bankat japoneze.
Zarif deklaroi se pret që Japonia dhe BE-ja të bindin presidentin e SHBA-së Joe Biden të heqë sanksionet ekonomike të vendosura nga administrata e mëparshme e presidentit të SHBA-së Donald Trump kundër vendit të tij.
Duke theksuar se Japonia është “një mik i vjetër i Iranit” dhe një vend që ka marrëdhënie të mira me SHBA-në, Zarif tha: “Ne shpresojmë që Japonia të veprojë si një mik, veçanërisht në fushën e së drejtës ndërkombëtare“.
Duke i përshkruar sanksionet e vendosura nga SHBA-ja si të paligjshme, Zarif më tej tha: “Meqenëse SHBA-ja shkel ligjin ndërkombëtar, roli më i mirë që Japonia mund të marrë është t’u tregojë amerikanëve se nuk do t’i zbatojnë vendimet e tyre të paligjshme“.
Zarif i bëri thirrje qeverisë së kryeministrit Yoshihide Suga, i cili mori detyrën në shtator 2020, për të lehtësuar kufizimet mbi kapitalin dhe pasuritë iraniane të mbajtura të ngrira në bankat japoneze për shkak të sanksioneve të SHBA-së. Sipas tij, rreth 10 miliardë dollarë kapital i ngrirë dhe asete që i përkasin Iranit mbeten të ngrira në Japoni dhe në Korenë e Jugut për shkak të sanksioneve.
Marrëveshja bërthamore e Iranit
Plani i Përgjithshëm i Përbashkët i Veprimit (JCPOA) është nënshkruar në vitin 2015 midis anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, SHBA-ja, Britania, Franca, Rusia, Kina, si dhe Gjermanisë, BE-së dhe Iranit, në mënyrë që të mbikëqyrë dhe rregullojë aktivitetet bërthamore të Iranit dhe për të hequr sanksionet në këmbim.
Me ardhjen e ish-presidentit Trump në pushtet, Washington-i u tërhoq nga marrëveshja dhe filloi të vendosë përsëri sanksione mbi Iranin.
Irani, i cili kërkoi nga palët e tjera të marrëveshjes të ndalojnë Washington-in por nuk arriti ta bëjë këtë, në korrik 2019 njoftoi pezullimin e disa neneve të marrëveshjes bërthamore, kurse më 5 janar 2020 pezulloi të gjitha angazhimet e marrëveshjes.









