Isa Mustafa e Albin Kurti kontaktuan mbrëmë, sot pritet të takohen! LDK del me “ofertë”

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa kanë komunikuar direkt gjatë ditës së djeshme.Siç mëson Gazeta Blic nga burime të saja brenda dy partive, Mustafa e Kurti janë dakorduar që të takohen sot pasdite.

“Pas takimeve të organeve drejtuese të LDK-së dhe takimit që Albin Kurti kishte me presidentin Thaçi, dy liderët kanë folur përmes telefonit dhe janë dakorduar për një takim, që te zhvillohet sot pasdite”, tha ky burim i Gazeta Blic.

Sipas këtyre burimeve, Lidhja Demokratike e Kosovës mund të shkoj në këtë takim me ofertë të re për Vetëvendosjen.

”Fillimisht do të insistojnë që pos presidentit ta marrin edhe postin e kryetarit të Kuvendit, mirëpo nëse Albin Kurti e VV nuk tërheqen, atëherë LDK do të kërkojnë kompensim për postin e kryetarit të Kuvendit. Do të kërkohen dy ministri në kompensim të postit të kryetarit të Kuvendit, në mënyrë që njëra ministri t’i kthehet VV-së, në momentin që zgjedhet presidenti i propozuar nga ana e LDK-së”, thonë këto burime të Gazeta Blic.

Kjo ofertë e LDK-së vjen pas dakordimit që kishte kjo parti në dy mbledhjet e mbajtura gjatë ditës së hënë. Zyrtarisht as nga Vetëvendosje e as nga LDK nuk kanë konfirmuar për një takim të mundshëm ndërmjet Albin Kurtit e Isa Mustafës.

Deputeti i VV-së dhe njëkohësisht i propozuari për zëvendëskryeministër të dytë nga ana e Kurtit, Haki Abazi, i kontaktuar nga GazetaBlic tha se ende nuk është e konfirmuar një takim që do ndodhë mes Kurtit dhe Mustafës gjatë ditës së sotme.

“Nuk kam asnjë informacion me ju thënë të drejtën deri më tani”, tha Abazi i pyetur nëse do të ketë një takim Kurti-Mustafa për sot.

Abazi thotë se nuk ka asnjë arsye pse mos të ndodhë një takim i tillë, pasi që gjatë ditës së djeshme LDK ka mbajtur takim me strukturat e saja dhe janë deklaruar se janë të gatshëm t’i vazhdojnë bisedimet për krijimin e qeverisë. Ai shton se VV është e gatshme të takohet kurdo që caktohet një gjë e tillë.

“Nuk shoh asnjë arsye praktike që të mos vihet deri tek takimi, besoj se pas takimit me grupin parlamentar dhe kryesisë së LDK-së me qëndrimin për vazhdimin e negociatave, në anën tjetër ne jemi të gatshëm që çdo kohë të takohemi”, tha Abazi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu