Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë Robert Bosch, ka mirëpritur marrëveshjen e re në mes Kosovës dhe Serbisë, që u arrit të mërkurën në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Marrëveshja parasheh që Serbia të ndalojë regjistrimin e targave, kurse Kosova do t’i ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me regjistrimin e automjeteve.
Sipas ish-ambasadorit Bosch, Kosova bëri mirë që dëgjoi miqtë e saj ndërkombëtarë.
“Është mirë që Qeveria e Kosovës dëgjoi miqtë e saj më të mirë, SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë”, ka deklaruar ai për gazetën “Bota sot”.Ai ka thënë se në veri ishte plani që Serbia e përkrahur nga Rusia, të shkaktonte dhunë nëse do të zbatohej vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat, dhe faji t’i mbetej Prishtinës.
“Një pjesë e popullsisë në veri përbëhet nga serbë ekstremistë nacionalistë, të cilët mbështeten nga ekstremistë të tjerë dhe me gjasë të mbështetur nga Rusia, e cila ka interes që problemet në rajon të shpërqendrohen nga Ukraina. Do të thotë se zbatimi i targave të veturave do të shkaktonte ndoshta dhunë, për të cilën pa të drejtë do të fajësohej Prishtina. Pra, edhe pse juridikisht e drejtë, politikisht e humbur”, është shprehur Robert Bosch.
Ai ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të përqendrohen në procesin e normalizimit dhe t’i vlerësojë miqtë e saj të vërtetë, pasi tani presioni, sipas tij, do të bie mbi Serbinë.










