Qeveria italiane ka vendosur të shtrëngojë masat dhe ndëshkimet kundër atyre që hedhin mbeturina dhe objekte gjatë drejtimit të makinës, duke parashikuar gjoba deri në 18 mijë euro për kundërvajtësit, madje edhe burgim.
Dekreti hyri në fuqi më 9 gusht. Një letër e hedhur nga dritarja, një bisht cigareje – që është sidomos e rrezikshme për nisjen e zjarreve teksa gjithë Europa Jugore po përballet tani me flakët – apo një shishe uji, gjobat për këto shkelje janë rritur shumë.
Në bazë të normave të reja, nuk do të mjaftojë vetëm patrulla e policisë për të shqyrtuar shkeljet dhe forcat e rendit nuk do të punojnë vetëm për kapjen në flagrancë të kundërvajtësve, siç ka funksionuar deri tani, pasi ligji u njeh atyre të drejtën të përdorin imazhet e telekamerave të qytetit apo të subjekteve private për të gjetur e ndëshkuar shkelësit e mundshëm.
“Ky është një hap përpara në luftën kundër njërës prej praktikave më të turpshme dhe të dëmshme për ambientin dhe komunitetin tonë. Presim që kundërvajtësit të mos i shpëtojnë ndëshkimit, por të ndiqen dhe kështu u japim një mesazh të qartë të gjithëve për t’i dhënë fund këtij vesi,” thotë Luca De Gaetano, president dhe themelues i shoqatës ambientaliste “Plastic Free Onlus”, referuar agjencisë së lajmeve ANSA.
Në rastet e shkeljeve më pak të rënda, siç është hedhja e facoletës apo e bishtit të cigares nga dritarja, gjoba arrin deri në 1.188 euro. Nëse hidhet një objekt më i madh, për shembull një kuti me mbeturina apo një shishe, parashikohet sinjalizimi i Prokurorisë dhe ndëshkimi mund të shkojë nga 1.500 deri në 18 mijë euro.
Ndëshkimi më i lartë për shkelje të kësaj natyre parashikohet arrestimi me burg. Kjo masë do të merret kur personi gjendet se ka hedhur mbeturina afër lumenjve apo në zonat e mbrojtura. Arrestimi në këto raste do të kryhet brenda 48 orëve me një masë nga 6 muaj në 5 vjet e gjysmë burgim.
Për drejtuesit e mjetit, dekreti i ri i qeverisë italiane parashikon edhe pezullimin e patentës deri në 6 muaj, sikurse edhe konfiskimin e mjetit.