Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, në Asamblenë e Përgjithshme në OKB njoftoi se do të paraqitet një mocion në Parlament për njohjen e shtetit të Palestinës, por me dy kushte thelbësore: lirimin e pengjeve dhe përjashtimin e Hamasit nga çdo proces qeverisës brenda Palestinës- Advertisement –
“Unë nuk jam kundër njohjes së Palestinës, por duhet të vendosim prioritetet e duhura,” deklaroi Meloni për gazetarët, duke shtuar se njohja duhet të jetë e kushtëzuar dhe të mos prodhojë probleme të reja. Kryeministrja theksoi gjithashtu se shpreson që iniciativa të marrë mbështetje edhe nga opozita.
Ky vendim vjen në një kohë kur presioni ndaj Italisë për të marrë një qëndrim më të vendosur ndaj konfliktit Palestinë-Izrael është rritur ndjeshëm. Gjatë Asamblesë së OKB-së, disa vende europiane dhe jo vetëm, përfshirë Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanadanë, kanë njohur shtetin palestinez.
Në Itali, grupet opozitare kanë kërkuar prej muajsh nga qeveria Meloni që të njohë Palestinën dhe të ndërmarrë masa ndaj Izraelit, duke përfshirë ndalimin e marrëveshjes ushtarake midis Romës dhe Tel Avivit. Javën e kaluar, në Milano dhe qytete të tjera, qindra mijëra protestues dolën në rrugë për të kërkuar njohjen e Palestinës nga Italia.
Në sfond, kjo lëvizje politike italiane pritet të ndikojë në qëndrimet e vendeve të tjera europiane dhe të rrisë presionin për zgjidhje politike në konfliktin e Lindjes së Mesme.